
Qeveria indoneziane ka nënshkruar një kontratë për të blerë gjithsej 48 avionë luftarakë KAAN ( TAI) nga Turqia, ndërsa vendi i Azisë Juglindore kërkon të modernizojë forcën e tij ajrore.
Si pjesë e përpjekjeve për modernizimin ushtarak, Xhakarta ka porositur 42 avionë luftarakë Rafale (Dassault Aviation) nga Franca në vitin 2022. Ajo po shqyrton gjithashtu mundësinë për të blerë avionë luftarakë J-10 (Chengdu) nga Kina dhe F-15EX (Boeing) nga Shtetet e Bashkuara.
Xhakarta dhe Ankaraja nënshkruan një “marrëveshje zbatimi” të shtunën, në margjinat e një panairi të industrisë së mbrojtjes në Stamboll, sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Indonezisë.
Nuk janë dhënë detaje mbi shumën që do të shpenzohet apo datat e dorëzimit.
KAAN, avioni i parë luftarak i projektuar dhe zhvilluar kryesisht nga industria ushtarake turke, realizoi fluturimin e tij të parë testues në shkurt të vitit 2024. Megjithatë, prodhimi i tij nuk pritet të nisë para vitit 2028, në skenarin më optimist. Industria turke e mbrojtjes, e cila po punon për ndërtimin e tij, e përshkruan KAAN-in si një avion të gjeneratës së pestë, me dukshmëri të ulët ndaj radarëve dhe të pajisur me dy motorë F-110 (General Electric) – të njëjtët që përdoren në avionët F-16 (Lockheed Martin).
Sipas qeverive të të dy vendeve, është rënë dakord të forcohet bashkëpunimi në zhvillimin e teknologjive të përbashkëta të mbrojtjes dhe të rritet kapaciteti prodhues i industrisë së mbrojtjes indoneziane.
Xhakarta nënshkroi gjithashtu një memorandum mirëkuptimi për blerjen e ardhshme të dy fregatave të klasit Milgem Istif (TAIS). Edhe në këtë rast, nuk janë dhënë detaje mbi vlerën financiare të marrëveshjes.
Top Channel