FSK në kërkim të trupit të 33-vjeçarit në liqenin e Ujmanit, ministri Maqedonci: Po bashkëveprojmë me KFOR-in për të ndihmuar familjen e emigrantit

29/07/2025 09:37

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është angazhuar në liqenin e Ujmanit, në veri të vendit, për të ndihmuar në kërkimin e trupit të një 33-vjeçari, emigrant, i cili dyshohet se ka kërcyer nga ura kryesore dhe nuk është parë më që të dalë në sipërfaqe.

“Njësitë e specializuara të zhytjes dhe kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sot në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të emigrantit në liqenin e Ujmanit, në Komunën e Zubin Potokut,” ka shkruar Maqedonci në një postim në rrjetet sociale.

Ai shtoi se angazhimi i FSK-së në këtë operacion është bërë në bashkërendim me KFOR-in.

“Forca e Sigurisë së Kosovës, në kuadër të detyrave të saj thelbësore, ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe në koordinim me KFOR-in, ekipet e specializuara të FSK-së kanë nisur operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit, me qëllim që sa më parë të gjendet trupi i emigrantit dhe të lehtësohet dhimbja e familjes,” përfundoi ministri.

Top Channel