
Pas ditësh të tëra të përfshira nga flakët, situata në zonat jugore të vendit po shkon drejt përmirësimit, ndonëse disa vatra mbeten ende aktive dhe nën monitorim.
Në lagjen “Barç” të fshatit Shalës, bashkia Konispol, zjarri i rënë mbrëmjen e së dielës është shuar plotësisht, falë ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse të Konispolit dhe Finiqit, të cilat punuan gjatë gjithë natës me mbi 8 efektivë në terren.
Aktualisht, në bashkinë Konispol ka vetëm një vatër të vogël aktive në vendin e quajtur Kokotraf, në fshatin Markat, ku po ndërhyhet me mjete manuale.
Edhe në zonën e Kalasës, Njësia Administrative Vergo, bashkia Delvinë, situata është më e qetë se një ditë më parë.
Zjarri është përqendruar vetëm në majën e malit mbi Kalasë, ndërsa një banesë e braktisur është raportuar si e djegur. Gjatë gjithë natës, në terren kanë punuar banorë, forcat zjarrfikëse të Delvinës, punonjës të MZSH dhe administrata vendore.
Ndërkohë, në zonën bregdetare të Sarandës, vatra aktive raportohen në Shënvasil (1 vatër), Lukovë (3 vatra) dhe Sasaj (1 vatër).
Sipas administratorit të Lukovës, Adi Boçi, situata është nën kontroll, por po pritet ndërhyrja nga ajri me helikopter. Në ndihmë janë edhe shërbimet zjarrfikëse të Himarës, Sarandës dhe Forcat e Armatosura.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa paralajmërojnë se për shkak të erës dhe temperaturave, çdo vatër mund të rindezë flakët në çdo moment.
Top Channel