Moska nis fluturimet direkte për në Korenë e Veriut, pas mungesës së alternativave për turistët rusë për të udhëtuar jashtë vendit

28/07/2025 11:31

Fluturimet direkte nga Moska drejt Koresë së Veriut kanë nisur këtë javë, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë forcuar ndjeshëm dhe turistët rusë po përballen me mungesë alternativash për të udhëtuar jashtë vendit.

Fluturimi i parë nga Moska në Phenian, i operuar nga kompania ajrore ruse Nordwind Airlines, u nis të dielën nga aeroporti Sheremetyevo dhe u ul në kryeqytetin e Koresë së Veriut rreth tetë orë më vonë.

Ministria e Transportit e Rusisë bëri të ditur se për momentin linja ajrore do të funksionojë vetëm një herë në muaj. Fluturimi i parë vajtje-ardhje nga Pheniani në Moskë është planifikuar për të martën. Nordwind Airlines — që më parë transportonte turistë rusë drejt destinacioneve evropiane përpara se Bashkimi Evropian të vendoste ndalimin e fluturimeve ruse — ofron bileta me çmim rreth 45,000 rubla (570 dollarë).

“Kjo është një ngjarje historike që forcon lidhjet mes kombeve tona,” tha për Agence France-Presse Oleg, një punonjës i Nordwind që menaxhonte fluturimin, i cili nuk pranoi të jepte emrin e plotë dhe as të zbulonte numrin e pasagjerëve në bord.

Rusia dhe Koreja e Veriut kanë forcuar bashkëpunimin e tyre ushtarak në vitet e fundit, me raportime se Pheniani ka furnizuar Moskën me armë dhe trupa për përdorim në konfliktin në Ukrainë. Vitin e kaluar, gjatë një vizite zyrtare të presidentit rus Vladimir Putin në Phenian, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë.

“Për herë të parë në mbi 70 vjet marrëdhënie diplomatike, po fillojmë fluturime direkte mes kryeqyteteve tona,” u shpreh zëvendësministri rus i Transportit, Vladimir Poteshkin, në një postim në Telegram.

Fluturimet nisin në një moment kur Koreja e Veriut po përpiqet të ringjallë sektorin e turizmit, duke lehtësuar gradualisht kufizimet e vendosura gjatë pandemisë së Covid-19. Megjithëse turizmi i zakonshëm mbetet i ndaluar, turistëve rusë u është lejuar të vizitojnë disa zona të vendit përmes tureve të organizuara, ndërsa në prill u mbajt një maratonë në Phenian me pjesëmarrje të vrapuesve të huaj.

Në qershor, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, inauguroi një resort të ri bregdetar në zonën Wonsan-Kalma, në bregun lindor të vendit. Autoritetet shpresojnë që ky kompleks të tërheqë deri në 20,000 vizitorë në vit, duke e cilësuar atë si një nga arritjet më të mëdha të vitit në vend.

Top Channel