
Autoritetet federale hynë me forcë në kabinën e pilotimit të një avioni të kompanisë Delta Airlines në San Francisko, ku më pas vunë në pranga ndihmës -pilotin dhe e nxorën nga avioni para syve të pasagjerëve.
Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje, pak pasi fluturimi 2809 nga Minneapolis u ul në Aeroportin Ndërkombëtar të San Franciskos, rreth orës 21:35.
Sipas raportimeve të KTLA, agjentët federalë – të veshur me rroba civile dhe me distinktivë zyrtarë– u filmuan duke hyrë në avion, ndërsa fytyrat e tyre u mbuluan në videot e shpërndara online. Dëshmitarët thanë se grupi përfshinte rreth 10 agjentë, mes të cilëve kishte përfaqësues të Hetimeve të Sigurisë Kombëtare (HSI) dhe marshallë ajrorë federalë.
Një pasagjere në klasin e parë tha për San Francisco Chronicle: “Një grup personash me distinktivë, armë dhe jelekë të agjencive të ndryshme po kalonin mes rreshtave për në kabinë. Ata hynë me forcë në kabinën e pilotimit, i vunë prangat bashkë-pilotit, e arrestuan dhe e çuan përgjatë korridorit, përmes kabinës së pasagjerëve, deri te dera e daljes.”
Pak më vonë, një ekip i dytë agjentësh u kthye në avion për të marrë sendet personale të bashkë-pilotit, i cili nuk është identifikuar publikisht.
Fillimisht nuk u dha asnjë informacion zyrtar për arsyen e arrestimit, por sipas korrespondentit të Fox News, Bill Melugin, një zyrtar i lartë federal konfirmoi se bashkë-piloti u arrestua nga Hetimet e Sigurisë Kombëtare për akuza që lidhen me materiale abuzimi seksual ndaj fëmijëve.
Ngjarja shokoi edhe pjesëtarët e ekuipazhit. Piloti i mbetur në avion tha se nuk kishte asnjë ide çfarë po ndodhte. Sipas “View from the Wing”, një pasagjer e pyeti një anëtar të ekuipazhit: “E pyeta: ‘Çfarë po ndodh?’ dhe ai më tha: ‘Nuk kam asnjë ide’. Dhe vërtet dukej i habitur, sepse po përgatiteshim për të zbritur dhe të gjithë po merrnin valixhet nga raftet.”
Pasagjerja që foli për Chronicle e përshkroi përvojën si “tronditëse dhe shqetësuese”, duke shtuar se nuk u dha asnjë informacion nga ekuipazhi për atë që kishte ndodhur.
Top Channel