SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje tarifore pas javësh negociatash të tensionuara, në një zhvillim që po konsiderohet një fitore e madhe për Presidentin Donald Trump dhe një kompromis i detyruar për Brukselin.

Marrëveshja e së dielës vjen në një moment kritik për marrëdhëniet tregtare globale, pak përpara bisedimeve të fundit tarifore të SHBA-së me Kinën. Sipas administratës Trump, kjo është një tjetër fitore strategjike, ndërsa BE shmangu një përshkallëzim të mëtejshëm duke rënë dakord për koncesione të ndjeshme.

Sipas marrëveshjes, mallrat evropiane do të përballen me një tarifë importi prej 15% në SHBA – një shifër më e ulët sesa 30% që ishte kërcënuar më herët, por gjithsesi më e lartë se norma 10% që i ofrohet Mbretërisë së Bashkuar.

Në këmbim, BE-ja do të hapë tregun e saj për eksportet amerikane me tarifa zero, përfshirë produkte energjetike dhe armë. Ndërkohë, produktet si gjysmëpërçuesit dhe farmaceutikët do të përfitojnë nga norma më e ulët.

Megjithatë, çeliku dhe alumini evropian do të vazhdojnë të përballen me tarifën 50%, ndërsa prodhuesit e makinave të BE-së do të përballen me një tarifë 15%, në vend të 25%-shit të mëparshëm.

Presidenti Trump u shfaq vetë si arkitekti i marrëveshjes, duke theksuar se BE do të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA për blerje të pajisjeve ushtarake dhe 750 miliardë dollarë për energji. “Kjo është një fitore për Amerikën dhe për punëtorët tanë,” tha ai.

Zëvendëspresidenti JD Vance ironizoi kritikët në një postim në X: “Mediat do të thonë se Trump mori vetëm 99.9% të asaj që kërkoi.”

Nga ana tjetër, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shmangu përshkallëzimin e një lufte tregtare, ndërsa e paraqiti marrëveshjen si mënyrë për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe gjeopolitik.

Bashkimi Evropian kishte përgatitur një listë prej 217 faqesh me masa hakmarrëse që përfshinte mallra me vlerë deri në 100 miliardë euro, nga bagëtitë te pjesët e avionëve.

Megjithatë, ngadalësimi ekonomik i Evropës, paralajmërimet nga Banka Qendrore Evropiane, dhe varësia nga SHBA për sigurinë dhe mbështetjen për Ukrainën, e bënë kompromisin të pashmangshëm për Brukselin.

Marrëveshja gjithashtu pritet të sigurojë rreth 90 miliardë dollarë të ardhura nga tarifat për qeverinë amerikane, bazuar në të dhënat tregtare të vitit të kaluar.

Top Channel