
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, këtë të hënë është shpallur vendimi i parë në mungesë për dhunim seksual gjatë luftës.
Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq u dënuan secili me nga 15 vjet burgim për veprën penale “krim i luftës kundër popullsisë civile”.
“Të akuzuarit në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, me përdorim të dhunës dhe veprimeve tjera ç’ njerëzore kanë kryer dhunimin seksual ndaj një gruaje të nacionalitetit shqiptar, ngjarje kjo e ndodhur në ose rreth datave 23-25 maj 1999”, tha Rrahman Beqiri, gjyqtar.
Rajkoviq dhe Deniq gjatë kohës së luftës, si pjesëtarë të forcave policore serbe në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë të paidentifikuar dhunuan një grua në Prishtinë, ku si dëshmitar ishte edhe burri i saj.
“Ivica Rajkoviq dhe i pandehuri Dragan Deniq të uniformuar dhe të armatosur bashkë edhe me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar hyn në shtëpinë e viktimës D1 me ç’rast të dëmtuarin D2, Ivica Rajkoviq e godet me kondakt të armës, ndërsa i akuzuari Dragan Deniq e kap viktimës D1 me forcë për krahu e ngreh zvarrë e vendos në dhomë të fjetjes së saj duke e kryer dhunimin. Pas tij, dhunimin e kryen edhe Ivica Rajkoviq e pas tij edhe personi i tretë i paidentifikuar”, tha gjyqtari.
Gjykimi i Rajkoviqit dhe Deniqit u krye në mungesë meqë të njëjtët nuk kanë arritur të arrestohen. Gjyqtari ka treguar se përgjatë gjykimit është vërtetuar se viktimës, të dënuarit i kanë shkaktuar dhimbje e vuajtje të madhe.
Bëhet e ditur po ashtu, se viktima është dhunuar nga gjashtë persona, porse vetëm Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq janë identifikuar.
Deri më tani në Kosovë janë zhvilluar tre gjykime për dhunë seksuale gjatë luftës.
Top Channel