“Do t’i zvogëloj ato 50 ditë që i dhashë në një numër më të vogël”, Trump i zhgënjyer nga Putini, shkurton afatin për marrëveshjen me Ukrainën

28/07/2025 14:59

Presidenti Donald Trump deklaroi të hënën se është i zhgënjyer nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe se po e shkurton afatin 50-ditor që i kishte dhënë Rusisë për luftën në Ukrainë.

“Jam i zhgënjyer nga Presidenti Putin, shumë i zhgënjyer prej tij”, u tha Trump gazetarëve, së bashku me kryeministrin britanik Keir Starmer, përpara takimit të tyre në Skoci.

“Do t’i zvogëloj ato 50 ditë që i dhashë në një numër më të vogël.”

Trump tha se ka folur shpesh me Putinin, duke shtuar: “Kemi pasur diskutime.”

Presidenti amerikan njoftoi dy javë më parë se i kishte dhënë Putinit 50 ditë për të arritur një marrëveshje me Ukrainën, përpara se të përballej me pasoja.

“Do të vendosim tarifa shumë të ashpra nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda 50 ditësh”, kishte deklaruar Trump. “Tarifa rreth 100%, do t’i quajmë tarifa dytësore. E dini çfarë do të thotë kjo.”

Top Channel