“Departament inovacioni në çdo kompani që ka mbi 100 punonjës”, urdhri i Ramës: Të përgatitemi për integrimin në BE, informohuni sa më shumë

28/07/2025 13:36

Kryeministri Edi Rama kërkoi që kompanitë me më shumë se 100 punonjës të kenë departament inovacioni, me qëllim integrimin e teknologjisë, duke u përafruar kështu edhe me standardet e Bashkimit Europian.

Kreu i qeverisë kërkoi që sipërmarrësit të marrin sa më shumë informacione në këtë aspekt, për t’iu përshtatur tregut europian.

“Po përfundojmë  qendrën e monitorimit me dronët të integruar së bashku me satelitët dhe edhe kjo do të na japë mundësi që të ndjekim në kohë reale të gjitha zhvillimet në territor, por do ju sugjeroja që të shikoni disa gjëra që bëhen në këtë godinë për të pasur një sens të nevojës që kompanitë tuaja, se përgjithësisht këtu besoj janë kompani të mëdha të angazhojnë edhe një ekip për kërkimin dhe për inovacionin, është i domosdoshëm. Duket sikur është një para e hedhur kot, po është para e hedhur më plotë se çdo gjë tjetër. Dhe ne do ta vendosim për të gjitha kompanitë që kanë mbi 100 punonjës, si fillim, do të vendosim që do të jetë e detyrueshme të kenë një departament të inovacionit që të merret me gjithë pjesën e teknologjisë dhe do t’i bëj shërbim më të mirë çdo kompanie pa diskutim dhe do të na përgatisë për atë që na pret në aspektin e biznesit privat në momentin që anëtarësohemi në Bashkimin Europian. Ku do t’ju sugjeroja që të informoheni sa më shumë se ç’a do ndodhi. Do jetë një sfidë jashtëzakonisht e madhe për kompanitë tona që t’i mbijetojnë atij tregu dhe jo e pamundur se përderisa e kanë bërë të tjerët, s’kemi pse nuk e bëjmë ne, por e vështirë dhe sa më shumë përgatitemi sot, aq më të lehtë do ta kemi në momentin kur do bëhemi pjesë e Komunitetit Europian dhe në aspektin e biznesit“, tha Rama.

Top Channel