Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur rëndë pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në jugperëndim të Gjermanisë të dielën në mbrëmje, sipas autoriteteve lokale.

Aksidenti ndodhi rreth orës 18:10 me orën lokale, pranë qytetit Riedlingen, afër Stuttgartit, kur treni në linjën Sigmaringen–Ulm doli nga shinat në një zonë pyjore. Sipas raportimeve fillestare, të paktën dy vagona dolën nga binarët, duke shkaktuar viktima dhe bllokimin e pasagjerëve brenda mjetit.

Operatori hekurudhor Deutsche Bahn konfirmoi aksidentin, duke deklaruar se “shkaqet janë ende të panjohura”, ndërsa nënvizoi se në zonë ishte regjistruar një stuhi pak para aksidentit.

Policia e Ulmit konfirmoi numrin e viktimave dhe njoftoi se hetimet janë në vazhdim. “Tre persona humben jetën dhe pasagjerë të tjerë u plagosën rëndë,” thuhet në deklaratën zyrtare.

Në një reagim në rrjetin social X, kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu dhimbjen për viktimat dhe u ofroi ngushëllime familjeve të tyre. Ai tha gjithashtu se është në kontakt të vazhdueshëm me ministritë përkatëse dhe ka kërkuar mbështetje të plotë për shërbimet e emergjencës.

Ndërkohë, Deutsche Bahn shprehu keqardhjen për ngjarjen, duke theksuar se “mendimet dhe ngushëllimet janë me viktimat dhe të gjithë ata që tani po përballen me këtë përvojë tragjike.”

Top Channel