Zjarri në Borsh, Shefi i emergjencave në bashkinë e Vlorës tregon luftën me flakët prej 48 orësh: U evakuuan rreth 50 banorë, mes tyre edhe turistë

27/07/2025 13:53

Një vatër zjarri mjaft problematike është regjistruar prej më shumë se 48 orësh në malin e Boshit, në afërsi të fshatit Borshi.

Flakët, të cilat dyshohet se kanë nisur nga zona e fshatrave te Delvinës, janë përhapur me shpejtësi përmes zonës së Piqerasit dhe Lukovës, për të përfunduar në territorin e Boshit.

Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të gjerë pyjore dhe ka krijuar rrezik real për banesat në zonë, për turistët që qëndrojnë në bujtinat e fshatit, si dhe për ambientin përreth. Për shkak të përmasave dhe terrenit të vështirë, ndërhyrja është bërë si nga toka ashtu edhe nga ajri. Prej orëve të para të mëngjesit, në ndihmë kanë ardhur helikopterë për të shuar vatrat më të rrezikshme, ndërsa zjarrfikës dhe forcat e emergjencës kanë vijuar luftën me flakët në terren.

Fillimisht, zjarri u vu në kontroll rreth orës 03:00 të mëngjesit, por erërat e forta që u intensifikuan mëngjesin e sotëm rindezën sërish disa vatra aktive, duke rrezikuar përsëri banesat në fshat. Per arsye sigurie, gjatë natës dhe mëngjesit janë evakuuar rreth 40-50 banorë, mes tyre edhe turistë që qëndronin me qira në zonë. Policia , zjarrfikësit, kryetari i bashkisë së Himarës por dhe punonjës të bashkisë, dhe shërbimet e emergjencës kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës për të garantuar sigurinë dhe për të ndihmuar në evakuim.

Në mesditë, ndërhyrja nga ajri ka bërë të mundur izolimin e tre vatrave kryesore, ndërsa puna për shuarjen e plotë të zjarrit vijon edhe në këto momente.

Top Channel