
Në “Exclusive” u trajtua debati publik politik mes kreut të Nisma Thurje, Endri Shabani dhe atij të “Shqipëria Bëhet”, ku përfundoi me prishjen e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, ku në zgjedhjet e 11 majit siguroi një mandat deputeti.
Në intervistën me gazetaren e TCH, Kristi Gongo, Shabani foli për kërcënimet me jetë që ka marrë, duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Lapajt, babait dhe kushërinjve të tij.
Teksa foli për prapaskenat e përplasjes, Shabani tha se “u duk sikur beteja u bë për karrierën dhe rrogën e Adriatikut dhe duke qenë se ai është kryetari i koalicionit, njerëzit prisnin që ai të kishte një standard më të lartë”.
Pjesë nga intervista:
Mendoni se keni përqendruar fuqitë tuja në luftën brenda llojit…
Nuk ka pasur luftë brenda llojit. Është zhgënjim. Nuk e kam pritur kurrë që nga forcat e reja , nga Adriatiku jo e jo, nga të rinjtë apo politikanët në vitit 2025 që çështja e një mandati të zgjidhet me grupe kriminale apo e kërcënime.
Ka një vijë të kuqe që u kalua me kërcënime. Pas kërcënimeve të aktivistëve tanë, ndaj meje… Kërcënimet kanë qenë me jetë. Kërcënime serioze nga aktorë të rrezikshëm. Po përgatitet një dosje. Unë personalisht do doja që ky debat të mos shkonte në dyert e gjykatave. Sot nuk ka më një koalicion, më vjen keq ta them.
Gjëja e parë Adriatiku filloi kërcënimet me jetë, kalamajtë… pas Adriatikut, i ati i tij. Ata kushërinjtë janë të Adriatikut, janë shumë shumë problematikë dhe e gjithë kjo ishte para se të bëhej problematike. Ata dinin numrin e Zeqirit, numrin tim…prandaj ka fikur telefonin ai.
Lapaj bëri një zotim ndaj nesh, ndaj aktivistëve të vetë, ndaj votuesve të vetë. U angazhua duke i thënë njerëzve se nuk po luftonte për karrigen e vetë. Pas zgjedhjeve pati një tërheqje nga ky qëndrim. La një zhgënjim dhe te elektorati, te aktivistët dhe te ‘Nisma Thurje’.
Unë nuk e bind dot Zeqirin që ndërkohë që ai e mban fjalën, Adriatiku mund të mos e mbajë fjalë. Zeqiri s’ka pasur qellim për t’u bërë deputet.
Është konsultuar ai me ju?
Jo!
Jeni zhgënjyer nga daja juaj për veprimet që ka bërë pa ju pyetur?
Jo, mendoj që duhet ta kisha bërë unë, jo Zeqiri. Adriatikut duhet t’ia kisha vendosur unë atë mur.
Nisma Thurje dhe aktivistët janë ndjerë të mënjanuar, që nuk janë vlerësuar për kontributesh që kanë dhënë. Nëse manualisht ndahen votat, as Nisma Thurje dhe as Shqipëria Bëhet nuk do kushte mandat.
U duk sikur beteja u bë për karrierën dhe rrogën e Adriatikut dhe duke qenë se ai është kryetari i koalicionit, njerëzit prisnin që ai të kishte një standard më të lartë.
Top Channel