
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka fajësuar sërish Hamasin për dështimin e bisedimeve për armëpushim në Gaza, duke akuzuar grupin militant se nuk ka vepruar me mirëbesim gjatë negociatave të javës së kaluar.
Nga Skocia, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Trump deklaroi se Hamasi është ngurtësuar papritur gjatë bisedimeve, ndërsa kritikoi ashpër përdorimin e pengjeve si mjet presioni.
“Kur arrijnë në një numër të caktuar, nuk mund të bësh më marrëveshje me Hamasin. Ata e dinë se dorëzimi i pengjeve do të shënojë fundin e tyre,” tha Trump, duke shtuar: “Ata nuk duan t’i kthejnë. Kështu që Izraeli do të duhet të marrë një vendim. E di çfarë do të bëja, por nuk është e përshtatshme ta them publikisht.”
Sipas mediave amerikane, Shtetet e Bashkuara tërhoqën javën e kaluar ekipin negociator nga Doha, pas vlerësimit se Hamasi nuk kishte treguar vullnet për arritjen e një marrëveshjeje. I dërguari amerikan, Steve Witkoff, tha se përgjigjja e fundit nga Hamasi “tregon qartë mungesën e dëshirës për një armëpushim”.
Nga ana tjetër, zyrtarë të Hamasit kanë shprehur habi për qëndrimin e SHBA-së, duke pretenduar se një përparim ishte “shumë pranë”.
Top Channel