Tajlanda dhe Kamboxhia nuk ia vënë “veshin” Presidentit amerikan, luftimet mes dy vendeve vazhdojnë pavarësisht thirrjeve të Trump për armëpushim

27/07/2025 18:07

Luftimet mes Kamboxhias dhe Tajlandës vijojnë me intensitet, edhe pse Presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se të dyja palët janë të gatshme për një armëpushim të menjëhershëm dhe bisedime paqeje.

Megjithatë, përplasjet e përgjakshme në kufirin mes dy vendeve kanë hyrë në ditën e katërt dhe nuk po japin shenja qetësimi.

Zëdhënësi i kryeministrit të përkohshëm tajlandez Phumtham Wechayachai, Jirayu Huangsap, deklaroi se lideri tajlandez do të marrë pjesë të hënën në një takim në Malajzi, pas një ftese nga kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, për të diskutuar përpjekjet për paqe në rajon. Në takim pritet të marrë pjesë edhe kryeministri kamboxhian Hun Manet, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga ana e Phnom Penh.

Tensionet kanë shkaktuar më shumë se 150,000 persona të zhvendosur, ndërsa të paktën 23 viktima janë raportuar deri tani – 10 në Tajlandë dhe 13 në Kamboxhia – duke e bërë këtë përplasje më të rëndën ndërmjet dy vendeve fqinj në më shumë se një dekadë.

Pavarësisht postimeve të Trump në rrjetet sociale, ku ai deklaroi se “të dyja palët kërkojnë një armëpushim të menjëhershëm dhe paqe”, zhvillimet e së dielës hedhin dyshime mbi këto pretendime. Ushtria tajlandeze njoftoi se forcat kamboxhiane hapën zjarr në orët e para të mëngjesit pranë një tempulli, një pike kontrolli dhe në zona të banuara, duke detyruar forcat tajlandeze të kundërpërgjigjen me artileri të rëndë.

Nga ana tjetër, Kamboxhia akuzoi Tajlandën se ka qenë ajo që ka provokuar sulmin. Ministria e Mbrojtjes në Phnom Penh tha se “aktet e koordinuara të agresionit ndodhën pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të ndërmjetësuara nga Presidenti Donald Trump, të cilat janë mbështetur publikisht dhe pa ekuivok nga kryeministri kamboxhian”.

Luftimet janë përhapur edhe në provinca të reja, përfshirë Trat në Tajlandë dhe Pursat në Kamboxhia, më shumë se 100 km larg zonave kryesore të konfliktit.

Thirrjet ndërkombëtare për qetësim dhe armëpushim po shtohen. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së kërkoi “përmbajtje maksimale”, ndërsa Malajzia, që kryeson bllokun rajonal ku bëjnë pjesë të dy vendet, ka ofruar të ndërmjetësojë bisedimet. Edhe Kina ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet.

Ambasadori i Kamboxhias në OKB, Chhea Keo, kërkoi armëpushim të menjëhershëm dhe pa kushte, gjatë një takimi urgjent në Nju Jork. Përfaqësuesi i Tajlandës në OKB, Cherdchai Chaivaivid, i kërkoi Phnom Penh-it që të ndalojë menjëherë armiqësitë dhe të rifillojë dialogun me mirëbesim.

Takimi i së hënës në Malajzi shihet si një mundësi kyçe për t’i dhënë fund krizës, por për momentin, luftimet vijojnë dhe situata mbetet e tensionuar përgjatë kufirit mes dy vendeve.

 

 

Top Channel