“Shkrumbohet” Greqia, digjen disa banesa! Autoritetet sytë nga BE-ja, kërkojnë përforcime për të shpëtuar nga flakët

27/07/2025 07:45

Në një nga frontet më të vështira të dhjetëra vatrave të zjarrit anembanë Greqisë, në Kryoneri 30 kilometra në veri të Athinës, zjarrfikës, vullnetarë dhe banorë përpiqen të shpëtojnë një prej shtëpive që është përpirë nga flakët.

Autoritetet greke kanë urdhëruar evakuimin e këtij fshati dhe të atij ngjitur, Drosopigi pasi edhe aty disa shtëpi u dogjën.

Zjarre të fuqishme kanë shpërthyer pranë Athinës dhe në zona të tjera, përfshirë gadishullin e Peloponezit si dhe në ishujt Kretë, Evia dhe Kythira.

Disa rajone janë në nivelin më të lartë të alarmit – Kategoria e Kuqe 5 – që nënkupton rrezik ekstrem për zjarrre pyjesh për shkak të kushteve të nxehta dhe të thata. Në 24 orët e fundit, “kanë shpërthyer 52 zjarre, nga të cilat 44 janë neutralizuar menjëherë në fazën fillestare,” ka deklaruar Shërbimi i Zjarrfikësve.

Përballë kësaj situate Greqia kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian përmes mekanizmit RescEU, për gjashtë avionë zjarrfikës që do të luftojnë me flakët. Gjithashtu një njësi zjarrfikëse nga Republika Çeke po ndihmon si pjesë e ndihmës evropiane.

Vatrat e zjarreve kanë shpërthyer në rajone të ndryshme, pas një vale të gjatë të motit të nxehtë me temperatura që orët e fundit kaluan mbi 45°C, ndërsa erërat e fuqishme përhapnin flakët. Sipas informacioneve nga shërbimi i urgjencës greke, pesë persona janë dërguar në spital si pasojë e zjarrit në rajonin e Atikës.

Në ishullin Kythira, një zjarr bllokoi dhjetëra njerëz në një plazh, të cilët u shpëtuan nga roja bregdetare dhe tre anije private.

Në ishullin Evia, në verilindje të Athinës, dy automjete zjarrfikëse u shkatërruan dhe dy zjarrfikës u dërguan në spital me lëndime të lehta.

Në rajonin e Messinisë në Peloponez, janë duke u kryer evakuime të banorëve, pasi fronti i zjarrit konsiderohet shumë i rrezikshëm.

Greqia dhe vende të tjera të Mesdheut ndodhen në një zonë që shkencëtarët e quajnë “pikë e nxehtë për zjarret” – me shpërthime të zakonshme gjatë verërave të nxehta dhe të thata.

Këto zjarre janë bërë gjithnjë e më shkatërruese vitet e fundit për shkak të ndryshimeve të shpejta klimatike, duke shtuar thirrjet për një qasje të re në përballimin e tyre.

Top Channel