
Në seancën plenare të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutuan një mori temash, zuri vend edhe një nga çështjet më të nxehta sot në botë, për shkak të zgjerimit të gjeografisë së tensioneve, dhe luftërave të cilat përveç humbjes së jetës së njerëzve, kanë prodhuar genocid dhe spastrime etnike.
Duke diskutuar “Përgjegjësinë për të Mbrojtur” (R2P) dhe parandalimin e gjenocidit, krimeve të luftës, spastrimeve etnike dhe krimeve kundër njerëzimit, Sekretari i Parë i Misionit të Shqipërisë në OKB, z. Erlis Hereni, përcolli një mesazh të qartë për domosdoshmërinë e veprimit kolektiv për të mbrojtur popullsitë nga mizoritë më të rënda.
Pasi përshëndeti raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për vitin 2025 mbi R2P, Hereni në emër të Shqipërisë nënvizoi nevojën për zbatim më efektiv dhe të qëndrueshëm të parimeve të mbrojtjes kolektive në mbarë botën. Më tej ai theksoi se, ndonëse janë bërë përparime përmes krijimit të mekanizmave hetues dhe gjyqësorë ndërkombëtarë, bota përballet ende me sfida të mëdha për sigurinë dhe zhvillimin global. Ai paralajmëroi për rreziqet që paraqet përdorimi i gabuar apo dashakeq i teknologjisë digjitale, përhapja e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimi, të cilët në mos ndihmojnë, krijojnë terren të favorshëm për shkaktimen krime të rënda kundër njerëzimit.
Shqipëria bëri thirrje për një qasje gjithëpërfshirëse, që angazhon jo vetëm shtetet, por edhe shoqërinë civile, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, aktorët humanitarë, liderët fetarë dhe median, për të ndërtuar sisteme të hershme paralajmërimi dhe kundër – përgjigjeje. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i ndërhyrjes ishte edhe shqetësimi për glorifikimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit, si dhe për shtrembërimin e historisë nga disa qeveri apo aktorë të tjerë. Shqipëria kërkoi forcimin e mbështetjes për viktimat, veçanërisht për gratë dhe vajzat, përmes programeve të fuqishme të mbrojtjes dhe rehabilitimit. Z. Hereni theksoi gjithashtu se përfshirja domethënëse e grave dhe vajzave në hartimin dhe zbatimin e strategjive të mbrojtjes së civilëve dhe parandalimit të mizorive është thelbësor për paqe dhe drejtësi afatgjatë.
“Bashkë mund të përkthejmë angazhimet tona në veprime konkrete për një botë më të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe paqësore,” përfundoi Sekretari i Parë Hereni.
Top Channel