
Një stuhi e fuqishme goditi disa pjesë të Kroacisë të shtunën në mbrëmje, ndërsa skenat më dramatike u panë në Karlobag, ku rrugët u përmbytën tërësisht, të shoqëruara me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu.
Qytetarët mezi arritën të strehoheshin, ndërsa dallgët e shiut krijuan pamje kaotike.
Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik ka lëshuar një paralajmërim për rajonet e Zagrebit, Karlovacit dhe Rijekës, ndërsa pjesa tjetër e vendit është nën paralajmërim portokalli.
Sipas autoriteteve, një ciklon në shtresat e larta të atmosferës dhe depërtimi i ajrit të lagësht e të paqëndrueshëm po krijojnë kushte për stuhi të forta, reshje intensive, breshër dhe rënie të menjëhershme të temperaturave.
Përveç Karlobagut, stuhia goditi edhe Istrian, ishujt e Kvarnerit, disa pjesë të Dalmacisë Qendrore si dhe qytetin e Karlovacit.
Situata shkaktoi probleme edhe në trafik. Autoritetet raportuan për përmbytje në një pjesë të autostradës A6 për shkak të reshjeve të mëdha.
Kroacia, Bosnja dhe Serbia po marrin masa për shkak të stuhive të fuqishme që pritet të godasin këto vende, pas një periudhe të nxehtësisë ekstreme që ka përfshirë rajonin ditët e fundit.
Alarm për kushte të rënda atmosferike është shpallur edhe në Kragujevc dhe Beograd.
Edhe në Kosovë, gjatë pasdites ka pasur reshje lokale shiu, ndërsa nga sot pritet rënie e ndjeshme e temperaturave, pas disa ditëve me të nxehtë rekord.
Top Channel