
Parlamenti i ri i cili do të nisë punën në shtator do të fillojë me shqyrtimin e draftit të ri të kodit penal, i cili u prezantua pak ditë më parë nga krerët më të lartë të Drejtësisë në vend.
Ky draft pritet të shoqërohet me debate të forta për shkak të përmbajtjes së disa prej neneve të tij.
Konkretisht në nenin 516 të draftit parashikohet dënimi për ata që zbulojnë të dhëna sekrete, përfshi këtu edhe gazetarët.
Në pikën 1 të këtij neni thuhet se “Zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet”.
Ndërkohë që pika 3 i referohet publikimit të të dhënave konfidenciale. “Publikimi me çfarëdolloj forme i akteve të përmendura në paragrafin e parë të këtij neni, shton dënimin deri në një të tretën e tij. Nëse kjo vepër kryhet nga personat juridikë dënohet me gjobë ose me një nga dënimet sipas nenit 123 të këtij Kodi”.
Një tjetër nen i debatueshëm është 536 që ka të bëjë me ndikimin në pavarësinë e gjyqësorit. Komentet që kanë për qëllim ndikimin e gjykatës gjatë vendimmarrjes pritet të dënohen me burgim deri në 3 vjet, sipas kodit të ri penal.
Neni 516
Zbulimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë
Neni 536
Ndikimi në pavarësinë e gjykatës
Bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Top Channel