“Jepi gaz se ka armë, na ndihmo!”, ish kandidatja për deputete e PD publikon pamjet: Kërcënuan familjen time me thikë

27/07/2025 09:50

Një 21-vjeçar nga Kamza është shpallur në kërkim nga policia e Sarandës si i dyshuar për kërcënim me armë të ftohtë ndaj familjarëve të Matilda Qurkut, ish-kandidate për deputete në Partinë Demokratike.

I riu, Mariglen Bajrami, dyshohet se është përfshirë fillimisht në një debat me familjarët, përpara se t’i afrohej babait të Matilda Qurkut duke mbajtur një thikë të fshehur pas shpine.

Postimi i Qurkut:

Një nga netët më të vështira të jetës sime si nënë.
Një person i dhunshëm, pa asnjë arsye, u shfaq me thikë në dorë para lokalit tim.
U afrua makinës ku ishin fëmijët e mi (2 dhe 10 vjeç), dy nipërit dhe bashkëshorti.
Kur nipi pa armën, i thotë:
“Jepi gaz se ka armë!”
Elidoni largohet për të shpëtuar fëmijët, por më telefonon menjëherë:
“Dil ndihmo Donin, po i afrohen me armë!”
Babai im ishte shumë pranë agresorit.
Dal pa menduar dy herë dhe i dal përballë.
Reaguan edhe qytetarë të rastësishëm që i falënderoj me gjithë zemër.
Agresori largohet… por jo për t’u ndalur.
Ai ndjek makinën dhe e godet pesë herë me radhë, me shpejtësi dhe qëllim të qartë për të bërë keq.
Zëri i nipit tim në telefon që bërtiste:
“Na ndihmo, po na vret!”
është diçka që s’do ta harroj kurrë.
Mbrëmë më keni parë të vrapoja si “e çmendur” rrugëve të lagjes në kërkim të familjes sime që dikush po përpiqej t’ma vriste – pa bërë asnjë faj.
E vetmja lidhje me këtë njeri është se prindërit e tij, ish-punonjës në biznesin tim, janë larguar me dëshirën e tyre dhe në paqe totale duke marrë pagesën e kërkuar.
Nuk kërkoj asgjë më shumë se çfarë na takon si qytetarë:
SIGURI dhe DREJTËSI.
👉Veprim të menjëhershëm nga Policia e Shtetit për të kapur autorin
👉Mbrojtje për familjen time.
👉Zbatim të ligjit për të gjithë.

Po ndaj disa prej videove të kësaj ngjarjeje –
jo për të bërë zhurmë,
por për të treguar të vërtetën.
P.S:
Kush nga ju miq e sheh këtë fytyrë të njoftoj sa më shpejt Policinë e Shtetit.

Top Channel