
Izraeli njoftoi të dielën se do të ndalojë çdo ditë operacionet ushtarake për 10 orë në disa pjesë të Gazës dhe do të hapë korridore të reja për ndihma në enklavën e shkatërruar, ku pamjet e palestinezëve të uritur kanë alarmuar opinionin publik ndërkombëtar.
Aktivitetet ushtarake do të ndalen nga ora 10:00 deri në 20:00 deri në një njoftim të dytë, në zonën humanitare të caktuar të Al-Mawasi, përgjatë bregut, në Deir al-Balah në qendër dhe në Qytetin e Gazës, në veri.
Ushtria shtoi se rrugë të sigurta për autokolona me ushqim dhe ilaçe do të jenë të hapura çdo ditë nga ora 06:00 deri në 23:00 duke filluar nga e diela.
Shefi i ndihmave të OKB-së, Tom Fletcher, tha se stafi do të shtojë përpjekjet për të ushqyer njerëzit e uritur gjatë pauzave në këto zona.
“Ekipet tona në terren… do të bëjnë gjithçka që munden për të arritur sa më shumë njerëz që po vdesin nga uria në këtë hapësirë kohore,” tha ai në një postim në X.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza (e drejtuar nga Hamasi), dhjetëra banorë të Gazës kanë vdekur nga kequshqyerja në javët e fundit. Totali ka arritur në 127 viktima, përfshirë 85 fëmijë, që nga fillimi i luftës.
Të shtunën, një foshnje 5-muajshe, Zainab Abu Haleeb, vdiq nga kequshqyerja akute në spitalin Nasser në Khan Younis.
“Tre muaj brenda spitalit, dhe ky është përfundimi – që ajo është e vdekur,” tha e ëma, Israa Abu Haleeb, teksa qëndronte pranë të atit që mbante trupin e vajzës së mbështjellë me një qefin të bardhë.
Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane tha se të dielën po dërgonte më shumë se 100 kamionë me mbi 1,200 ton ndihma ushqimore drejt Gazës jugore përmes pikës kufitare Kerem Shalom.
Pak orë më parë, Izraeli kishte nisur edhe hedhje ajrore me ndihma, që sipas ushtrisë kishte si qëllim lehtësimin e krizës humanitare.
Javën e kaluar, organizatat humanitare deklaruan se urija masive ka përfshirë 2.2 milionë banorët e Gazës, ndërsa shqetësimet ndërkombëtare janë rritur. Kjo situatë thuhet se ka ndikuar edhe në vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron për të njohur shtetin palestinez në shtator.
OKB tha se pauzat humanitare në aktivitetet ushtarake janë të nevojshme për të rritur shkallën e shpërndarjes së ndihmave, dhe akuzoi Izraelin se nuk ka siguruar mjaftueshëm rrugë të sigurta për autokolonat e ndihmës.
Izraeli, i cili ndërpreu rrjedhën e ndihmave në mars dhe e rihapi me kufizime të reja në maj, thotë se lejon ndihmat, por duhet t’i kontrollojë ato për të parandaluar përdorimin nga militantët.
Sipas qeverisë izraelite, është Hamasi fajtori për vuajtjet e popullit të Gazës dhe jo shteti izraelit.
Bisedimet për armëpushim me Hamasin u braktisën të premten nga Izraeli dhe SHBA-ja, të cilat deklaruan se është e qartë që Hamasi nuk dëshiron një marrëveshje.
Shpresë dhe pasiguri në Gaza
Shumë banorë të Gazës shprehën një lehtësim të kujdesshëm për njoftimin e së dielës, por kërkuan ndalim të përhershëm të luftës.
“Njerëzit janë të lumtur që sasi të mëdha ndihmash do të hyjnë në Gaza,” tha Tamer Al-Burai, një biznesmen.
“Shpresojmë që kjo ditë të jetë hapi i parë drejt përfundimit të kësaj lufte që ka djegur gjithçka.”
Të tjerë shprehën shqetësime për sigurinë dhe shpërndarjen e ndihmave.
“Ndihma duhet të hyjë në mënyrë të logjikshme. Kur hidhet nga ajri, shkakton plagosje dhe dëme,” tha një banor i zhvendosur, Suhaib Mohammed.
Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë në Izrael, Itamar Ben-Gvir, e kritikoi vendimin për ndihmat, duke thënë se nuk ishte konsultuar nga kryeministri Netanyahu apo nga autoritetet e mbrojtjes.
“Kjo është një dorëzim për fushatën mashtruese të Hamasit,” tha ai në një deklaratë, duke përsëritur thirrjen për të bllokuar plotësisht ndihmat, për të pushtuar të gjithë Gazën dhe për të nxitur largimin e popullsisë palestineze. Ai nuk shkoi deri aty sa të kërcënonte me dorëheqje.
Zëdhënësi i Netanyahu-t nuk u përgjigj menjëherë ndaj komenteve të Ben-Gvir.
Izraeli tha se OKB-ja ka dështuar të shpërndajë ndihmat në mënyrë efektive, ndërsa OKB thotë se po punon në kushte shumë të vështira për shkak të kufizimeve izraelite.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1,200 njerëz, shumica civilë, dhe duke marrë 251 pengje në Gaza.
Që atëherë, ofensiva izraelite ka vrarë gati 60,000 njerëz në Gaza, sipas zyrtarëve shëndetësorë në territorin e drejtuar nga Hamasi, shumica civilë, ka shkatërruar shumicën e territorit dhe ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë.
Top Channel