
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, i ka bërë thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të veprojë menjëherë për të ndihmuar civilët e uritur në Rripin e Gazës, gjatë një bisede telefonike mes tyre të zhvilluar sot.
Në një deklaratë zyrtare të qeverisë gjermane thuhet se Merz ka shprehur shqetësim të thellë për situatën katastrofike humanitare në territorin palestinez të rrethuar nga konflikti.
“Ai i bëri thirrje Kryeministrit Netanyahu që të bëjë gjithçka është në fuqinë e tij për të arritur një armëpushim të menjëhershëm. Po ashtu, e shtyu të sigurojë ndihmë humanitare urgjente për popullsinë civile të uritur në Gaza,” – thuhet në deklaratë.
Sipas kancelarit gjerman, kjo ndihmë duhet të arrijë shpejt, në mënyrë të sigurt dhe në sasinë e nevojshme, për të ndaluar përkeqësimin e mëtejshëm të krizës humanitare që ka tronditur opinionin publik global.
Thirrja e Merz vjen në një moment kritik të luftës, ndërsa presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për të lehtësuar vuajtjet e civilëve është në rritje të vazhdueshme.
Top Channel