
Emri i Elon Musk dhe ai i vëllait të tij, Kimbal Musk, rezultojnë ndër dokumentet ende të klasifikuara në lidhje me çështjen Epstein.
Këtë e raporton “Daily Mail”, duke cituar burime të njohura me seancën e gjatë në burg me Ghislaine Maxwell, ish-e dashura dhe bashkëpunëtorja e financierit të ndjerë pedofil Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019.
Mediat nuk saktësojnë nëse përmendja e emrit të Elon Musk ka lidhje me ndonjë përfshirje direkte apo thjesht me ndonjë referencë, por raportimi është domethënës, veçanërisht pasi vetë Musk kishte akuzuar publikisht Donald Trump për përpjekje për të mos i publikuar dosjet, duke sugjeruar se ish-presidenti amerikan kishte diçka për të fshehur.
Ironikisht, sipas “Daily Mail”, Musk rezulton të jetë vetë i përfshirë në këto dokumente – së bashku me vëllain e tij.
Gjithçka lidhet me një seancë marrjeje në pyetje në burg, ku Ghislaine Maxwell ka bashkëpunuar me hetuesit amerikanë. Ajo është pyetur për një listë prej më shumë se 100 emrash të lidhur me Epstein, përfshirë figura të rëndësishme si princi Andrew, Bill Clinton, Bill Gates, Alan Dershowitz, Les Wexner, Leon Black dhe shumë financues të fuqishëm të Wall Street.
Burime të “Daily Mail” thonë se kjo ishte hera e parë që Maxwell është pyetur zyrtarisht për princin Andrew dhe të tjerë. “Ajo foli me ndershmëri dhe pa frikë. Nuk u tërhoq nga asnjë pyetje dhe dëshiron që e vërteta të dalë në dritë”, deklaroi një burim i afërt me hetimin.
Në raport thuhet se përfshirja e emrit të Elon Musk mund të jetë pjesë e një loje hakmarrjeje apo ndëshkimi ndaj tij, pas konfliktit të hapur me Trump në rrjetin X. Megjithatë, vetë hetimi duket se është shtrirë në një spektër më të gjerë figurash publike, çka në mënyrë indirekte ul fokusin te Trump.
Aktualisht nuk ka ndonjë provë që lidhet konkretisht me ndonjë veprim të paligjshëm nga ana e Musk, por përmendja e tij në një çështje kaq të nxehtë vjen në një moment delikat për reputacionin e tij publik.
Ndërkohë, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, pritet të takohet me Trump pas kthimit të këtij të fundit nga vizita në Skoci. Në axhendë do të jetë analiza e dëshmive të Ghislaine Maxwell dhe mundësia për ndonjë falje apo lehtësim të dënimit për ish-mikeshën e Epstein, në këmbim të bashkëpunimit të saj me drejtësinë amerikane.
Top Channel