Drejt një samiti historik në Stamboll? Erdogan shtyn takimin mes Putinit dhe Zelenskyt për paqe në Ukrainë

27/07/2025 16:14

Turqia po përpiqet të përshpejtojë përgatitjet për një samit të mundshëm midis Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky në Stamboll.

Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili theksoi se të dyja palët “kanë shprehur dëshirën për t’u takuar në Stamboll”, por negociatat për datën dhe kushtet janë ende në proces.

Sipas Fidan, presidenti Recep Tayyip Erdogan është i vendosur të luajë një rol aktiv për të çuar përpara këtë nismë, duke përdorur kanalet diplomatike me të dy liderët. “Erdogan dëshiron ta përshpejtojë këtë proces dhe po mbështetet në diplomacinë e të dy udhëheqësve”, u shpreh ai.

Ankaraja beson se një takim mes presidentit rus dhe atij ukrainas do të ishte një hap i rëndësishëm për kapërcimin e ngërçit aktual në negociatat për paqe, të cilat kanë hyrë në fazën e tretë, por pa ndonjë përparim domethënës.

Turqia, që ka ruajtur një qëndrim të balancuar gjatë gjithë konfliktit, ka shërbyer më parë si ndërmjetëse për çështje të ndjeshme, përfshirë edhe marrëveshjen për eksportin e grurit nga portet ukrainase në Detin e Zi.

Ende nuk ka një datë zyrtare për samitin, por burime diplomatike nënvizojnë se intensiteti i kontakteve është rritur ndjeshëm në ditët e fundit.

Top Channel