
Qëndrimi me orë të tëra i të rinjve në rrjetet sociale ka sjellë dhe rritje të numrit të personave që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, ku sipas OBSH, 1 në 7 individë në Shqipëri është i prekur nga të tilla çrregullime.
Izolimi përballë një ekrani, i shoqëruar me ngarkesën emocionale që shkaktojnë rrjetet sociale, ka bërë që të rinjtë e sotëm të jenë agresivë me njëri-tjetrin.
“Aksesimi për orë të tëra në rrjetet sociale në aplikacione si Instagram, TikTok apo Snapchat – problemi më i madh në këto aplikacione është ndërveprimi i historive, i cili duke qenë i pakontrolluar, sigurisht që sjell edhe probleme që ne i kemi parë të kenë prodhuar edhe kronika të zeza”, shprehet ekspertja e komunikimit, Denisa Canameti.
Shqetësues është kthyer fakti që të rinjtë, për t’i shpëtuar ankthit që vjen si pasojë e përdorimit pa masë të rrjeteve sociale, më parë i drejtohen farmacive sesa mjekut specialist. Por jo vetëm kaq – farmacistët shumë herë u përgjigjen kërkesave të tyre duke u dhënë medikamente qetësuese pa recetën e mjekut, edhe pse një gjë e tillë bie në kundërshtim me ligjin.
“Por në raste sporadike, kjo kategori barnash jepet pa recetë mjekësore. Kryesisht kërkesa i drejtohet grupit të benzodiazepinave. Është kategori e barnave që veprojnë drejtpërdrejt në sistemin nervor. Kjo kërkesë në një kategori të caktuar të rinjsh lidhet me problemet e shëndetit mendor, por përdoret edhe nga përdoruesit e drogës, ku numri i tyre vjen gjithnjë në rritje”, thotë farmacistja Diana Toma.
Jeta virtuale i vendos të rinjtë shumë herë edhe në konflikte me të panjohur keqdashës. Për të dhënë fund kësaj problematike, edukimi se si duhet t’i përdorim në dobinë tonë këto rrjete sociale duhet të fillojë që në familje, e duke vazhduar më pas në sistemin arsimor, që duhet të ofrojë më tepër aktivitete sociale ekstrakurrikulare që i vendosin ata në ndërveprim me njëri-tjetrin.
Për ta adresuar si problematikë është edukimi dhe komunikimi me të rinjtë. Duhet t’i mësojmë ata se si të qëndrojnë të sigurt në internet pa abuzuar, dhe mbi të gjitha, duke komunikuar edhe me prindërit.
Për të menaxhuar të tilla situata, duhet një punë e madhe fillimisht nga vetë prindërit dhe më pas nga institucionet arsimore, të cilat duhet të zhvillojnë më shumë aktivitete për të rritur ndërveprimin social mes të rinjve.
Top Channel