
Pesë civilë, përfshirë një foshnjë dhe nënën e saj, humbën jetën gjatë një sulmi të armatosur ndaj një ndërtese gjyqësore në juglindje të Iranit.
Ngjarja ndodhi në qytetin Zahedan, në provincën Sistan-Baluchistan, ndërsa tre nga autorët e dyshuar u neutralizuan nga forcat e sigurisë.
Sipas medias shtetërore Mizan Online, agresorët, të maskuar si vizitorë, tentuan të futeshin në ambientet e gjykatës dhe hodhën një granatë brenda godinës, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Bilanci paraprak flet për pesë të vdekur dhe 13 të plagosur, por autoritetet paralajmërojnë se numri mund të rritet.
Komanda rajonale e Gardës Revolucionare Islamike konfirmoi se tre nga sulmuesit u vranë gjatë përplasjes me forcat e rendit.
Mediat iraniane raportojnë se përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Jaish al-Adl (Ushtria e Drejtësisë), një grup xhihadist baluç me bazë në Pakistan, i cili është aktiv edhe në territorin iranian.
Top Channel