
Organizata të ndryshme të shoqërisë civile në Lindjen e Mesme përgjigjen gjithmonë njësoj: Eshtë e pamundur të thuhet. “Askush nuk e di vërtet se çfarë po ndodh,” tha për DW drejtuesi i një projekti sirian, duke komentuar shkurtimet e ndihmës amerikane gjatë administratës Trump.
“Ata ende nuk e kanë ndaluar plotësisht ndihmën, ndaj ne thjesht po shpenzojmë para muaj pas muaji dhe shpresojmë për më të mirën,” shtoi ai. Edhe themeluesi i një rrjeti gazetarësh në Bagdad shprehet: “Nuk e dimë ende nëse do të marrim fondet e premtuara për këtë vit. Ndoshta nuk do të mund të paguajmë disa nga gazetarët tanë. Aktualisht po kërkojmë ndihmë nga organizata të tjera për të kompensuar mungesat.” Për të shmangur probleme me donatorët, të dy personat kërkuan të mbeten anonimë.
Që nga marrja e detyrës, ish-presidenti Donald Trump uli ndjeshëm fondet e Shteteve të Bashkuara për të ashtuquajturën “Ndihmë Zyrtare për Zhvillim” (ODA). Megjithatë, SHBA nuk ishte i vetmi vend që ndërmori këtë hap. Në shkallë globale, ndihma amerikane për zhvillim ra me më shumë se 7% në vitin 2024. Vende të tjera si Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ulën për herë të parë në gati 30 vjet fondet e alokuara për ndihmë.
Në vitin 2023, vendet e Lindjes së Mesme përfituan rreth 7.8 miliardë dollarë nga një total prej 42.4 miliardë që SHBA shpenzoi për ndihmë zhvillimore. Sipas analistit Lait Alailuni nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Bahrein, reduktimi i kësaj ndihme do të ndihet ndjeshëm në rajon. “Partnerët kryesorë të SHBA-së mbeten shumë të varur nga ndihma amerikane për të përmbushur nevojat e tyre ushtarake dhe ekonomike.”
Midis viteve 2014 dhe 2024, SHBA dha rreth 106.8 miliardë dollarë ndihmë për vendet e rajonit – rreth një e treta e kësaj shume shkoi për Izraelin, kryesisht për qëllime ushtarake. Për vendet e tjera, ndihma amerikane përbën një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave kombëtare.
Aktualisht, mungesa e fondeve po ndihet fuqishëm: për ushqim dhe ujë në Sudan, ilaçe në Jemen, ndihma për fëmijët në Liban dhe për kampet e personave të zhvendosur në Siri – përfshirë edhe ata të dyshuar për lidhje me grupin ekstremist “Shteti Islamik”.
Vende të tjera si Jordania dhe Egjipti varen gjithashtu nga fondet e huaja për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe për të shmangur kolapsin financiar.
Megjithatë, ende nuk është e qartë se sa shumë do të humbin vendet e rajonit nga ulja e ndihmës amerikane. Në qershor 2025, studiues të Qendrës për Zhvillim Global në Uashington llogaritën se ndikimi do të ndryshojë në varësi të donatorëve përkatës. Disa vende pritet të humbasin ndihma të konsiderueshme, ndërsa të tjera do të preken më pak.
Për shembull, ndihma për Jemenin pritet të bjerë me 19% midis viteve 2023 dhe 2026. Në vitin 2025, Arabia Saudite, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar ishin donatorët kryesorë për Jemenin, përmes Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA). Edhe Somalia mund të humbasë deri në 39% të ndihmës, me donatorët kryesorë të njëjtë.
Një boshllëk i madh
Sipas Vincenzo Boletino, drejtor i Programit të Komuniteteve Rezistente në Universitetin e Harvardit, ky boshllëk financiar nuk mund të mbushet në afat të shkurtër. Ai parashikon forma të reja ndihme në afat të mesëm dhe të gjatë, përfshirë më shumë vende që ofrojnë ndihmë në përputhje me interesat e tyre politike.
Një shembull është agjencia ruse Rossotrudnichestvo, e cila planifikon të ristrukturohet sipas modelit të USAID-it dhe të hapë zyra në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Megjithatë, buxheti i saj vjetor prej vetëm 70 milionë dollarësh është i kufizuar.
Një tjetër alternativë është Kina, e cila po pozicionohet si konkurrentja më e madhe e SHBA-së në zhvillimin global. Por Pekini fokusohet më shumë në Azinë Juglindore dhe Afrikë sesa në Lindjen e Mesme. As Rusia dhe as Kina nuk kanë luajtur tradicionalisht rol të rëndësishëm në sistemin ndërkombëtar të ndihmës humanitare, dhe kjo ka pak gjasa të ndryshojë së shpejti.
Ndihma me motive politike
Në Lindjen e Mesme, shtetet e pasura të Gjirit janë gjithnjë e më shumë donatorët kryesorë. Sipas Markus Löwe, profesor në Institutin Gjerman për Zhvillim dhe Qëndrueshmëri (IDOS), katër shtetet e Gjirit – Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari dhe Kuvajti – kanë qenë ndër donatorët më të rëndësishëm në botë gjatë dy dekadave të fundit.
Arabia Saudite tashmë ofron ndihmë të konsiderueshme për Sirinë dhe Libanin dhe është e gatshme të mbulojë një pjesë të kostove të rindërtimit në Gaza – me kusht që të arrihet një armëpushim i pranueshëm. Ndihma po orientohet gjithnjë e më shumë drejt përfituesve që janë politikisht të rëndësishëm për vendet e Gjirit, vëren Khaled Al Mezaini nga Universiteti Zayed në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Megjithëse janë pjesë e konfliktit në Jemen që nga viti 2015, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara kanë qenë gjithashtu ndër donatorët më të mëdhenj për ndihmën humanitare në këtë vend.(DW)
Top Channel