Rrëfehet vëllai i Jeffrey Epstein: Ai dinte gjëra komprometuese për Donald Trump, jam i sigurtë që nuk është vetëvrarë

26/07/2025 11:37

NEW YORK – Mark Epstein, vëllai i financierit, përgjigjet në telefon nga Florida. 71-vjeçar, zhvillues pronash të paluajtshme, Mark nuk beson se Jeffrey është vetëvrarë dhe ka kritikuar Departamentin aktual të Drejtësisë dhe FBI-në për rikonfirmimin e kësaj teze.

Ndërkohë që Ghislaine Maxwell po merret në pyetje nga zëvendësministri i Drejtësisë, ai thotë se do ta pyeste se çfarë di për marrëdhëniet e vëllait të tij me Trump, «sepse Jeffrey tha që kishte informacion dëmtues për të».
«Por nëse dikush tjetër është i përfshirë, është problemi i tyre – thotë Mark Epstein për Corriere della Sera –. Ajo që më intereson mua janë rrethanat e vrasjes së tij. Kushdo që sheh informacionet, nuk beson se është vetëvrasje… ai është vrarë».

Pse jeni i bindur për këtë?
 «Kur vdiq, askush nuk më njoftoi. Mëngjesin tjetër e mora vesh nga CNN që ishte gjetur i vdekur dhe që dukej si vetëvrasje. Fillimisht nuk kisha arsye për të dyshuar. E pranova, mendova se ndoshta e kishte bërë nga frika se do të kalonte shumë kohë në burg. Nuk kishte fëmijë, prindërit tanë kishin vdekur prej kohësh, nuk kishte pse të shqetësohej për mua. Por ditën tjetër, kur u ktheva në Nju Jork për të identifikuar trupin dhe u bë autopsia, mjekja ligjore e qytetit, Kristin Roman, e cila e kreu autopsinë së bashku me Michael Baden në emrin tim – sepse duhej të shkruaja që pata patologun tim të pranishëm – dolën që të dy nga autopsia duke thënë që nuk mund të përcaktonin vetëvrasje sepse ngjante shumë me një vrasje. Aty ndryshuan gjërat. Jeta ime do të ishte më e thjeshtë nëse ata do të kishin dalë e të thoshin: “Po, është vetëvrasje”, por nuk mundën. Prandaj, në certifikatën fillestare të vdekjes, tek rubrika “shkaku i vdekjes”, shkruhej: “Në pritje të hetimeve të mëtejshme”. Disa ditë më pas, Barbara Sampson, mjekja ligjore kryesore, tha se ishte vetëvrasje, pa shpjeguar se çfarë ekzaminimi ishte bërë. Dhe ta kemi të qartë: ajo nuk e ka parë kurrë trupin. Çfarë e çoi në këtë përfundim? Ishte Bill Barr (atëherë ministër i Drejtësisë i Trump), ai tha se kishte parë videon dhe se askush nuk mund të hynte në atë nivel të burgut, duke anashkaluar faktin se aty kishte dhe 12 të burgosur të tjerë që mund ta kishin vrarë Jeffrey-n? Dhe ka shumë gjëra të tjera…».

Ju keni kërkuar të shihni intervistat që Steve Bannon i bëri vëllait tuaj në 2019 (pak muaj para arrestimit) për një dokumentar që ende s’ka dalë. Pse?
 «Kam parë një nga videot sepse ma kishte dërguar Jeffrey. Më kishte përcjellë një email që kishte marrë nga Bannon me një link në Dropbox për një nga këto video-intervista, ku Jeffrey thoshte se kishte ndërprerë marrëdhëniet me Trump sepse e kishte kuptuar që ishte mashtrues. Pas vdekjes së Jeffrey-t kontaktova Bannonin, doja të shihja regjistrimet e tjera, por nuk më përgjigjet më».

Në një nga këto video, që shfaqet në një trailer, vëllai juaj thotë se njerëzit në burg priren të vrasin veten.
 «Është thjesht diçka që ka thënë, është e vërtetë, por kjo nuk do të thotë që e bëri ai vetë».

Ministria e Drejtësisë tani po e dëgjon Maxwell-in. Çfarë mund të thoni?
 «Çështja është se çfarë do t’i pyesin? Po mundohen të marrin merita që folën me të, por a do të shohim transkriptin e bisedës? Dhe nëse e pyesin vetëm se cili është ngjyra e saj e preferuar dhe çfarë ka ngrënë për mëngjes, e pastaj thonë “nuk morëm informacione të dobishme”? A e kanë pyetur nëse e ka parë Trump-in në zyrën e Jeffrey-t? Edhe nëse ajo e mohon, ne të gjithë e dimë që ka qenë atje».

A do të thotë të vërtetën Ghislaine?
«Nuk di asgjë më shumë sesa çfarë dinë të gjithë: që është në burg dhe është akuzuar për dëshmi të rreme, por nuk e di çfarë mund të thotë apo të dijë. Shikoni, Jeffrey tha që kishte informacione dëmtuese për Trump: ndoshta ajo e di për çfarë fliste ai. Nuk e di nëse do ta pyesin. Është interesante që kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka thënë se Ghislaine ka shumë arsye për të gënjyer, duke e rrëzuar dëshminë e saj edhe pa folur. Mendova: pse nuk e dëgjon më parë para se ta gjykosh? Mendoj se po përgatiste terrenin, në mënyrë që nëse ajo thotë diçka dëmtuese, ai të thotë që është një gënjeshtër. Është gjithçka kaq e ndyrë, nuk është transparente… Nuk e di çfarë do të thotë. Nuk kam folur me të prej dekadash. Në vitet ’90 e shihja shpesh Jeffrey-n dhe atë, pas vitit 2004 jo më.»

Çfarë ndodhi në vitin 2004?
 «Nëna ime vdiq, babai ynë kishte vdekur në vitin ’91. Para kësaj, unë dhe Jeffrey shiheshim më shpesh. Më pas, jo më. Nuk kishte ndonjë armiqësi, por kishim jetë të ndryshme. Të dy udhëtonim shumë, nuk kishte shumë arsye për t’u parë, por ishim gjithmonë në kontakt përmes emailit apo telefonit.»

A e dinit për marrëdhëniet e tij me të mitura?
 «Na e kishte fshehur. Dija që dilte me shumë vajza, por jo të gjithë situatën.»

Besoni se ishte fajtor për trafikim të të miturave?
 «Nuk është detyra ime ta mbroj Jeffrey-n, nuk jam as avokat i tij dhe as prokuror. Ajo që di është që trafikimi seksual ndodh kur çon një të mitur në një shtet tjetër për të kryer marrëdhënie seksuale. P. Diddy është akuzuar për trafikim për prostitucion, që është ndryshe. Jeffrey është akuzuar për trafikim: fajtor për marrëdhënie me vajza të mitura. Nuk mund të gjykoj gjë tjetër, por di që ishte fajtor për të pasur lidhje me vajza të mitura, sepse ma ka thënë vetë. Kur u fut në telashe, më tha se ishte për marrëdhënie me të mitura. Tha që kishte qenë budalla.»

Top Channel