Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan sërish sot në tentimin e fundit për konstituimin e Kuvendit, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se seanca do të vazhdojë sërish sot në orën 22:00, për një tentativë të fundit, të 54-t.

Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi. Ky afat përfundon sot në mesnatë.

107 deputetë ishin të pranishëm në sallë, por konstituimi dështoi pasi që sërish nuk pati propozime dhe kuorum për formimin e një komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.

56 deputetë votuan për, ndërsa të tjerët.

Pas mesnatës, deputetët nuk do të mund të marrin asnjë vendim apo veprim në drejtim të konstituimit të Kuvendit.

Kjo pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar në orët e vona të 24 korrikut, vendosi ex officio masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, pak orë para nisjes së seancës, u bënë thirrje deputetëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të fundit për ta konstituuar Kuvendin.

“Dalja nga kjo krizë është ende e mundur, por kërkon vullnet dhe lidership politik. Partitë politike duhet të intensifikojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit përmes kompromisit dhe bashkëpunimit”, thuhet në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Në arsyetim, Gjykata tha se nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyç në Republikën e Kosovës”.

Gjykata e mbështeti vendosjen e masës në atë se për çështjen e konstituimit ka dy lëndë në shqyrtim, atë të paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Që nga fillimi më 15 prill e deri të premten, Kuvendi është mbledhur në 52 përpjekje për ta zgjedhur kryetarin, pa arritur shumicën prej së paku 61 votave.

Lëvizja Vetëvendosje – fituese e zgjedhjeve – e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar, por e zgjedhura e kësaj partie, Albulena Haxhiu, konsiderohet e papranueshme për disa grupe politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e shohin atë si figurë përçarëse, teksa Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se s’ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.

LVV-ja argumenton se është obligim i të gjithë deputetëve të konstituojnë Kuvendin.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe po ashtu po kundërshtojnë ndryshimin e votimit nga i hapur në të fshehtë. Partitë shqiptare kanë argumentuar se në aktgjykim Kushtetuesja ka thënë se votimi i fshehtë është jokushtetues, por mendim tjetër ka shprehur LVV-ja./REL

Top Channel