Aksident i rëndë në Memaliaj! Ukrainasit me “Benz” përplasen me “Range Rover”-in, humb jetën 7-vjeçari, në gjendje të rëndë tre të tjerë

26/07/2025 16:09

Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në aksin rrugor Memaliaj-Mallakastër, me pasojë në jetë njerëzish.

Dy mjete, Range Rover dhe Mercedez Benz, janë përplasur me njëra-tjetrën, teksa i vdekur ka mbetu një 7-vjeçar, ndërsa tre të tjerë janë në spital.

Në njërën prej mjeteve ndodheshin dy ukrainas, teksa policia ndodhet në vendin e ngjarjes për të zbuluar shkaqet e aksidentit.

“Rreth orës 14:30, në aksin rrugor “Tepelenë–Krahës”, në vendin e quajtur “Kthesa e Luftinjës”, automjeti me drejtues shtetasin B. D., banues në fshatin Kalivaç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi ukrainas V. T., 38 vjeç.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën rrugës për në spital një i mitur rreth 7 vjeç (djali i çiftit B. D. dhe S. D., të cilët janë dëmtuar lehtë).

Gjithashtu, kanë pësuar dëmtime të lehta shtetasi V. T. dhe pasagjeri që ndodhej në automjetin me të. Të dy po marrin ndihmë mjekësore në spital”, njofton policia.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Top Channel