Zbulim i tmerrshëm në Britaninë e Madhe, gjenden trupa të shumtë në pyll, mediat: Një nga rastet më të rënda dhe të ndërlikuara

25/07/2025 17:22

Një operacion i madh policor është nisur në një zonë pyjore të Cornwall, në jug perëndim të Anglisë, rreth 300 km larg Londrës, ku janë gjetur trupa të shumtë njerëzish.

Policia e Devonit dhe Cornwall është tashmë në vendngjarje, ndërsa ka mbështetje nga forcat speciale dhe ekipet mjeko-ligjore nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar. Agjencia Kombëtare e Krimit është gjithashtu e përfshirë në hetim, ndërsa janë përfshirë edhe roje private sigurie. Në zonë është vendosur një ndalim i dronëve.

Fokusi i hetimit është Pylli Paramoor, një zonë e vogël pyjore pranë autostradës A390. Hetimi ka vazhduar për tre javë.

Komisionerja e Policisë dhe Krimit, Alison Hernandez, konfirmoi se më shumë se një trup ishte gjetur në të njëjtin pyll, por nuk mundi të jepte një numër të saktë. “Ne kemi gjetur trupa të vdekur në pyll dhe po përpiqemi të përcaktojmë saktësisht se sa janë, kush janë dhe çfarë u ka ndodhur atyre”, tha ajo.

Zhdukja e 43-vjeçarit që çoi në zbulimin makabër. Sipas mediave britanike, çështja filloi kur policia zbuloi trupin e 43-vjeçarit Daniel Coleman në pyllin Paramoor pranë fshatit Sticker. Coleman ishte zhdukur disa javë më parë nga zona e St Austell, gjë që kishte shkaktuar shqetësim të madh.

Autoritetet besojnë se burri u vra midis 2 dhe 7 korrikut. James Desborough, i cili është akuzuar tashmë dhe është lënë në paraburgim, besohet të jetë përgjegjës për vrasjen e tij. Por tre javë më vonë, çështja merr një kthesë shumë më të errët.

Një nga rastet më të rënda dhe të ndërlikuara

Mediat britanike po flasin për një nga rastet më serioze dhe komplekse të vrasjeve të shumëfishta në vitet e fundit në vend, me mundësinë që një vrasës serial të mbetet i lirë.

Mediat lokale në Cornwall raportojnë se që nga fillimi i javës, një furgon i bardhë forenzik dhe automjete të policisë lokale ishin në vendngjarje. Policia kishte ngritur gjithashtu një tendë të vogël. Policia ka rrethuar një zonë të madhe me shirit të kuq dhe po kontrollonte tokën.

Top Channel