
Qeveria britanike po përballet me presion të madh nga 221 deputetë nga i gjithë spektri politik për të njohur menjëherë një shtet palestinez, në një kohë shqetësimi të shtuar ndërkombëtar për urinë dhe dhunën e vazhdueshme në Rripin e Gazës.
Letra, e koordinuar nga kryetarja e Komitetit të Zhvillimit Ndërkombëtar, Sarah Champion, i bën thirrje qeverisë të angazhohet për një orar specifik para samitit të OKB-së në Nju Jork javën e ardhshme. Franca ka njoftuar tashmë qëllimin e saj për të njohur Palestinën në shtator.
“Njohja nuk do t’i japë fund menjëherë vuajtjeve, por është një hap i rëndësishëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Champion, duke shtuar se mesazhi duhet të jetë i qartë: “populli palestinez nuk është vetëm ”.
221 MPs, from 9 parties, have sent a joint letter to the Prime Minister & Foreign Secretary urging them to recognise Palestine as a state now pic.twitter.com/b2hbX2XCGR
— Sarah Champion (@SarahChampionMP) July 25, 2025
Nënshkruesit përfshijnë figura kryesore politike si udhëheqësi i Demokratëve Liberalë, Sir Ed Davey, ish-ministri konservator, Kit Malthouse, si dhe Emily Thornberry dhe Liam Byrne të Partisë Laburiste.
Kryeministri Sir Keir Starmer, në një deklaratë të premten, e bëri të qartë se njohja e Palestinës duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë paqeje: “Njohja është thelbësore, por duhet të jetë pjesë e një kuadri që çon në paqe dhe siguri të qëndrueshme për të gjithë në rajon.”
Ai dënoi skenat “e pamëshirshme” në Gaza , ku organizatat bamirëse paralajmërojnë se bllokada dhe bombardimet po e shtyjnë popullsinë në prag të urisë. Qeveria izraelite thotë se po ofron ndihmë të mjaftueshme dhe fajëson Kombet e Bashkuara për vonesat.
Ndërkohë, SHBA-të dhe BE-ja po bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, me bisedimet e paqes në Katar të “ngrira” për shkak të mosmarrëveshjeve me Hamasin. Marrëveshja e propozuar përfshin një armëpushim 60-ditor dhe një shkëmbim pengjesh.
Lufta , e cila shpërtheu pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, tashmë ka marrë jetën e më shumë se 59,000 palestinezëve, sipas shifrave nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, ndërsa më pak se gjysma e 50 pengjeve të mbetura vlerësohet të jenë ende gjallë.
Top Channel