Prezantimi i draftit të Kodit të ri Penal, Zaçaj: Ligji penal duhet të jetë parzmore për qytetarin, jo shpata e shtetit

25/07/2025 11:36

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, gjatë tryezës së organizuar për prezantimin e ndryshimeve në Kodin e Ri Penal, theksoi se Kodi Penal nuk duhet të shihet thjesht si një listë ndalimesh, por si gramatika morale e shtetit dhe pasqyra e ndërgjegjes sonë kombëtare.

“Nuk ka tirani më të egër sesa ajo që ushtrohet nën mburojën e ligjit dhe në emër të drejtësisë,” –duke cituar Montesquieun, kreu i Kushtetueses dha një mesazh të drejtpërdrejtë mbi nevojën për kujdes në legjislacionin penal.

Ajo theksoi se Kushtetuta është kufiri dhe themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet çdo normë penale, ndërsa të drejtat, liritë dhe garancitë kushtetuese janë telajoja ku shkruhen këto norma. “Vetë normat penale janë tregues i nivelit të qytetarisë së një kombi,” – deklaroi Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë tryezë, ku morën pjesë krerët më të lartë të institucioneve të shtetit, drejtues të organeve të drejtësisë, ambasadorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, Zaçaj nënvizoi rolin e Gjykatës Kushtetuese duke theksuar  se kjo Gjykatë nuk qeveris dhe as nuk harton ligje. Detyra e saj është të ruajë Kushtetutën dhe të sigurojë që çdo ligj të matet me standardin më të lartë të drejtësisë.”

“Ju siguroj se kjo Gjykatë nuk është tërhequr kurrë nga kjo përgjegjësi – dhe nuk do të tërhiqet as në të ardhmen,”përfundoi fjalën e saj Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Fjala e plotë e Zaçajt: 

Ka momente në historinë e një kombi kur reforma legjislative bëhet më shumë se një akt institucional. Ajo bëhet një pasqyrë — jo e fuqisë sonë për të shkruar ligje, por e aftësisë sonë për të reflektuar. Jo e kontrollit tonë mbi shkeljet, por e urtësisë sonë në përballjen me to.

Sot, me hartimin e Kodit të ri Penal të Shqipërisë, ndodhemi pikërisht në një moment të tillë.

Kodi Penal nuk është thjesht një listë ndalimesh; është gramatika morale e shtetit, pasqyra e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ai na tregon se çfarë na frikëson, çfarë dënojmë — dhe, ndoshta më e rëndësishmja — si zgjedhim të përgjigjemi ndaj së keqes, jo me hakmarrje, por me drejtësi.

Një shoqëri nuk gjykohet vetëm nga mënyra se si mbron të pafajshmit, por edhe nga dinjiteti që u garanton të akuzuarve.
Sepse, në të vërtetë, drejtësia nuk është vetëm ndëshkim për të keqen, por edhe mënyra se si trajtojmë dobësinë njerëzore, se si balancojmë interesin e rendit publik me paprekshmerine e të drejtave individuale.

Në këtë kuptim, Kodi i ri nuk është vetëm një tekst ligjor. Ai është një provë: për institucionet tona, për pjekurinë tonë politike, dhe për aftësinë tonë për të vendosur parimet mbi pasionet.

Dispozitat e këtij Kodi do të dëgjohen jo vetëm në sallat e gjyqeve dhe në media, por edhe në vendet ku kamerat nuk shkojnë — në qelitë e paraburgimit, në heshtjen e një marrjeje në pyetje gjatë natës, në jetën e një të riu, fati i të cilit do të varet nga zbatimi i drejtësisë, jo nga teksti i saj.

Nëse ky Kod do t’i shërbejë Shqipërisë, nuk duhet t’i shërbejë pushtetit.

Nuk duhet të jetë dhe as të bëhet një mjet frike apo ndasie.
Duhet të jetë parzmorja mbrojtëse e qytetarit, JO shpata e shtetit. Duhet të mbrojë sundimin e ligjit, JO sundimin e ligjvenesve.

Të nderuar kolegë,

Ne nuk reformojmë sepse bota na sheh. Reformojmë sepse i detyrohemi vetes që të ndërtojmë një sistem drejtësie penale, çka nuk është vetëm një angazhim formal por një ambicie morale e shoqërisë sonë.

Ndaj, ky Kod Penal, nëse zbatohet me përkushtim na afron më shumë me idealet juridike dhe njerëzore që ndodhen në zemër të kulturës kushtetuese evropiane: proporcionaliteti, siguria juridike, rehabilitimi, ligjshmëria, drejtësia, dhe mbi të gjitha, paprekshmëria e dinjitetit njerëzor.

Por të mos e ngatërrojmë përputhshmërinë teknike me reformën e vërtetë. Thelbi i drejtësisë nuk është konformiteti — por besimi te vlerat kushtetuese, te guximi për të vepruar sipas parimeve kur askush nuk të sheh, si dhe forcimi i atyre parimeve edhe kur të gjithë janë duke të parë.

Gjykata Kushtetuese nuk qeveris dhe as nuk shkruan ligje. Ajo ruan Kushtetutën duke siguruar që çdo ligj, pavarësisht qëllimit të tij të matet me standardin suprem të drejtësisë.

Dhe ju siguroj: kjo Gjykatë nuk është tërhequr kurrë nga kjo përgjegjësi — dhe nuk do të tërhiqet as në të ardhmen.
Në fakt, gjatë viteve, nëpërmjet vendimeve të saj, Gjykata ka formësuar rendin juridik dhe ka zhvilluar vetë kuptimin e drejtësisë në Shqipëri. Ajo:

• Ka Shfuqizuar dispozitat që shkelnin parimin e dënimit të individualizuar, për rrjedhojë kufizonin të drejtën e gjyqtarit për të përcaktuar dënimin sipas rrethanave të personit;

• Ka Shfuqizuar dënimet e paqarta apo të shpërpjesëtuara, që nuk përmbushin standardet e sigurisë juridike dhe të dinjitetit njerëzor;

• Ka Kujtuar kufijtë e pushtetit ligjvënës në çështjet penale, duke theksuar se edhe qëllime të tilla të larta si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrusionit, nuk justifikojnë ligje spontane apo të pakonsultuara.

Të mos harrojmë se ishte kjo Gjykatë që shfuqizoi dënimin me vdekje në vitin 1999 — jo vetëm si një dispozitë ligjore, por si një plagë morale. Ai vendim nuk ishte vetëm një akt juridik. Ishte një vendim historik – Ishte një deklaratë: se edhe faji më i rëndë nuk ia heq njeriut njerëzoren.

Po ashtu, Gjykata ka folur qartë edhe për të drejtat procedurale, sidomos përballë zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe nevojave në ndryshim të shoqërisë:

• Në një çështje që përfshinte një gazetar, Gjykata rikonfirmoi lirinë kushtetuese të shprehjes dhe lidhur me të mbrojtjen e burimeve konfidenciale. Në atë rast ajo theksoi edhe se normat e vjetruara procedurale per te dhenat kompjuterike nuk mund të bëhen mjete të ndërhyrjes shtetërore në epokën dixhitale;

• Gjykata vijon të shqyrtojë edhe kuptimin kushtetues të “korrespondencës” në kontekstin e komunikimeve elektronike, duke pasur parasysh se privatësia nuk duhet lënë pas nga teknologjia;

• Në çështje që lidhen me masat parandaluese ndaj deputetëve apo qytetarëve, Gjykata ka mbrojtur lirinë personale nga kufizime të pajustifikuara;

• Në rastet e sekuestros preventive, ajo ka theksuar se sanksionet nuk mund të jenë të shumëfishta dhe të paqarta, por duhet të jenë të sakta dhe të arsyetuara ligjërisht.

Gjykata ka vënë në dukje se ligji penal duhet të jetë i menduar, i studiuar dhe i debatuar. Ligjet shpesh gjykohen nga qëllimet, megjithatë drejtësia e vërtetë shihet në mënyrën se si zbatohen ato, në aksesin efektiv të qytetarëve, në trajtimin e barabartë të tyre.

Duke përshëndetur Ministrinë e Drejtësisë për iniciativën e marrë do të doja të kujtoja se ka ende boshllëqe ligjore në legjislacion që nuk janë plotësuar, siç është rasti i nenit 377 ne lidhje me disponimin e pasurise me testament në Kodin Civil për të cilin Gjykata konstatoi papajtueshmëri me Kushtetutën për shkak të boshllëkut ligjor dhe detyrimin për plotësim brenda 1 viti, por që vijon të mbetet pa ndërhyrje. Një boshllëk i tillë nuk garanton rendin — por pasigurinë. Dhe pasiguria në ligj është një formë padrejtësie.

Po kështu nëpërmjet vendimmarrjes së saj Gjykata Kushtetuese ka vënë në dukje edhe ekzistencën e problemeve sistemike sic janë:

• Mungesa e mjeteve efektive për të shmangur zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe garantuar efektivitetin e instrumenteve ligjor mbrojtës;

• Nevoja për mekanizma më të qartë njoftimi të vendimeve nga Gjykata e Lartë, cka ndikon drejtpërdrejt në aksesin e qytetarëve në Gjykatën Kushtetuese por edhe sigurine juridike te paleve.
Reforma Ligjore, pra, nuk është një faqe e kthyer. Është një kapitull që ende po shkruhet. Ligjet nuk mbahen mend për mënyrën si janë shkruar — por për mënyrën si zbatohen dhe si ndikojnë jetën e qytetarëve.

Me shpresën se ky Kod nuk është thjesht një reformë, por një rinovim i qartësisë sonë morale si komb për drejtësinë penale.
Me shpresën se ky Kod do të jetë një ligj i mirë dhe i drejtë, që brezat e ardhshëm të mund të thonë:
– Me të, Shqipëria zgjodhi drejtësinë jo si shfaqje, por si parim, nuk foli me frikë — por me dinjitet.
– Këtu ne nuk shkruam vetëm një Kod — por respektuam Kushtetutën.
Në përfundim, dua të theksoj se Kushtetuta është limiti dhe themeli i së drejtës penale; të drejtat, liritë dhe garancitë kushtetuese janë telajo mbi të cilin shkruhen normat penale.
Nga ana tjetër, vetë normat penale janë tregues i masës së qytetarisë së një kombi.
Le të kujtojmë paralajmërimin e Montesquieu, i cili thote: “Nuk ka tirani më të egër sesa ajo që ushtrohet nën mburojën e ligjit dhe në emër të drejtësisë.”
Ky Kod Penal duhet të mbetet një mjet i drejtësisë, JO i forcës. Ky është detyrimi ynë kushtetues.

Top Channel