Lufta në Siri, Tajlanda: Mbi 100 mijë civilë kanë ikur si pasojë e konfliktit me Kamboxhian

25/07/2025 09:32

Mbi 100.000 persona kanë ikur nga luftimet kufitare më të përgjakshme mes Tajlandës dhe Kamboxhias në dekadë, ka thënë Bankoku të premten, përderisa rriten thirrjet ndërkombëtare për ndalje të armiqësive.

Mospajtimet kufitare që një kohë kanë shpërthyer me luftime intensive me artileri, tanke dhe trupa ushtarake në fushëbetejë të enjten.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë një takim urgjent për krizën më vonë gjatë së premtes.

Ministria e Brendshme e Tajlandës ka thënë se mbi 100.000 njerëz nga katër provinca kufitare janë larguar në 300 zona të përkohshme strehimi, ndërsa numri i viktimave është rritur në 15, si dhe ai i të plagosurve në 46.

Autoritetet e Kamboxhias nuk i kanë publikuar të dhënave e tyre.

Në qytezën Samraong të Kamboxhias, rreth 20 kilometra larg kufirit, gazetarët kanë raportuar të kenë dëgjuar zhurmë të artilerisë në mëngjesin e së premtes.

Disa familje janë parë duke mbledhur gjërat e tyre dhe duke u larguar me makinë, bashkë me fëmijët.

“Jetoj shumë afër kufirit. Frikësohemi sepse ata nisën prapë sulmet”, ka thënë Pro Bak, 41-vjeçar për agjencinë e lajmeve AFP.

Ai është larguar me gruan dhe fëmijët e tij në një tempull budist për t’u strehuar.

“Nuk e di se kur do të mund të kthehemi në shtëpi”, ka thënë ai.

Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, shteti i të cilit kryeson bllokun rajonal ASEAN, ka thënë se ka biseduar me kryeministrat e të dyja shteteve dhe ka bërë thirrje për armëpushim dhe dialog.

Luftimet shënojnë një përshkallëzim dramatik në konfliktin e gjatë mes këtyre dy vendeve fqinje – të dyja destinacione për milionë turistë të huaj – të cilat ndajnë një kufi prej 800 kilometrash.

Dhjetëra kilometra janë të kontestueshme dhe për ato toka palët kanë luftuar në periudhën 2008-2011, duke lënë 28 persona të vdekur, teksa mijëra të tjerë janë detyruar të zhvendosen.

Një gjykatë e Kombeve të Bashkuara e ka zgjidhur këtë çështje, mirëpo kriza aktuale ka shpërthyer në maj, kur është vrarë një ushtar i Kamboxhias në përleshjet e reja. /rel

Top Channel