
Kriza humanitare në Gaza ka nxitur reagimin e trefishtë të Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, të cilat përmes një deklarate të përbashkët i bënë thirrje Izraelit të heqë menjëherë kufizimet për ndihmën humanitare dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare.
“Katastrofa humanitare që po dëshmojmë në Gaza duhet të ndalet menjëherë,” theksojnë tre shtetet evropiane, duke iu referuar paralajmërimeve të OKB-së dhe organizatave joqeveritare, që flasin për rrezikun e një urie masive dhe të përgjithësuar në enklavën palestineze.
Në këtë deklaratë të përbashkët, Paris, Londra dhe Berlini kërkojnë nga qeveria izraelite heqjen e menjëhershme të kufizimeve për shpërndarjen e ndihmës humanitare, duke shtuar se Izraeli ka detyrime të qarta sipas ligjit ndërkombëtar humanitar që duhet t’i përmbushë.
“Ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës në Gaza”, theksojnë më tej tre qeveritë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë luftime dhe të arrijnë një marrëveshje të menjëhershme armëpushimi.
Ata ripërsërisin edhe kërkesën për lirimin e pengjeve izraelite dhe çarmatimin e Hamasit, ndërsa në fund theksojnë kundërshtimin e fuqishëm ndaj çdo përpjekjeje për të imponuar sovranitetin izraelit në territoret e pushtuara palestineze.
Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për situatën në Lindjen e Mesme, ku përplasjet e armatosura dhe bllokadat ndaj ndihmave kanë thelluar krizën humanitare në Gaza.
Top Channel