Dogji katër banesa, sipërfaqe pyjore dhe rrezikoi jetën e banorëve, arrestohet për zjarrvënie 39-vjeçari në Kakavijë

25/07/2025 12:25
foto ilustruese

Është vënë në pranga një 39-vjeçar, i dyshuar për zjarrvënie në fshatin Kakavijë.

Uniformat blu thonë se gjatë punës me troko, shtetasi me iniciale K. V., 39 vjeç, banues në këtë fshat, ndezi zjarr që rrezikoi jetën e banorëve, si dhe dogji 4 banesa, sipërfaqe pyjore dhe pemë frutore.

Banorët u evakuan nga shërbimet e Policisë, ndërsa zjarri u shua si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të Zjarrfikëses, Policisë së Shtetit, FRONTEX-it dhe Forcave të Armatosura, të asistuara nga helikopterë të autoriteteve greke.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Top Channel