Dëbimi i emigrantëve do të bëhet në një terminal të posaçëm në aeroportin e Mynihut! Si do të funksionojë plani i ri i Gjermanisë

25/07/2025 10:37

Në kuadër të politikës së re për përshpejtimin e dëbimit të azilkërkuesve të refuzuar, autoritetet gjermane kanë planifikuar ndërtimin e një terminali të posaçëm dëbimi në aeroportin e Mynihut (MUC).

Ky do të jetë terminali i tretë në aeroportin e dytë më të madh të Gjermanisë, që shërben si qendër qarkullimi për Lufthansa-n dhe ofron fluturime drejt 216 destinacioneve në 68 vende.

Sipas agjencisë Reuters, terminali i ri, i quajtur “terminal riatdhesimi”, do të ketë dy kate dhe do të mundësojë organizimin e deri në 50 fluturimeve çarter në dit, si individuale, ashtu edhe kolektive.

Ndërtesa do të pajiset me një tavolinë qendrore regjistrimi, për të koordinuar më mirë procesin e riatdhesimeve.

Lajmi është konfirmuar nga një zëdhënës i aeroportit, i cili tha se planifikohet edhe ndërtimi i një ndërtese për policinë federale. Projekti parashikohet të përfundojë në fund të vitit 2028.

Ndërkohë, ministrat e Brendshëm të Bavarisë dhe të Gjermanisë, Joachim Herrmann dhe Alexander Dobrindt, të dy nga partia CSU, kanë qenë prej kohësh mbështetës të një politike më të rreptë ndaj dëbimit të azilkërkuesve të refuzuar dhe të huajve me precedent penalë. Policia federale gjermane nuk ka komentuar ende për planet e ndërtimit.

Top Channel