
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të enjte Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit.
Ai theksoi se me Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit ata që duan të veprojnë në mënyrë të paligjshme do ta kenë më të vështirë.
Kjo ka nisur punën, u shpreh Rama, për zbatimin e masave të reja ligjore të kontrollit të territorit.
Kryeinspektoriati do të mbulojë aktivitetet shoqërore e shtetërore në territor, nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat e tarifat vendore, nga prodhimi bujqësor tek mbrojtja e pyjeve dhe lumenjve.
“Ju prezantoj me një tjetër inovacion të qeverisjes: Kryeinspektoriatin Digjital të Territorit. Videoja është një fragment i shkurtër i informacionit që ky Kryeinspektoriat po mbledh nëpër Shqipëri, për të filluar punën për zbatimin e masave të reja ligjore të kontrollit të territorit.
Ky Kryeinspektoriat do të mbulojë hap pas hapi të gjithë gamën e aktiviteteve shoqërore e shtetërore në territor, nga kontrolli i ndërtimeve tek taksat e tarifat vendore, nga prodhimi bujqësor tek mbrojtja e pyjeve dhe lumenjve, duke e bërë punën e strukturave përkatëse më të lehtë, si edhe duke i bërë zullumet e llojllojshme shumë më të vështira”, ka shkruar Rama.
Kryeinspektoriati Digjital i Territorit nis punën pas disa javëve aksion të IKMT-së dhe policisë për lirimin e hapësirave publike të zaptuara nga biznese.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama kritikoi krerët e bashkive për moszbatimin e rregullave, duke kërkuar dorëheqje të drejtorëve dhe krerëve të njësive administrative.
Top Channel