Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytetin Golija të Malit të Zi, ku një 34-vjeçar dyshohet se ka vrarë vajzën e tij dy-vjeçare dhe më pas i ka dhënë fund jetës së tij.

Sipas raportimeve të mediave lokale, gjithçka ka nisur pas një konflikti në familje. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se autori i dyshuar, pas një grindjeje të dhunshme me bashkëshorten, e ka sulmuar atë fizikisht dhe më pas është larguar nga banesa me vajzën e tij të vogël.

Tragjedia u zbulua disa orë më vonë, kur babai i 34-vjeçarit njoftoi policinë, duke thënë se kishte gjetur trupat e pajetë të të birit dhe mbesës së tij në zonën malore të Golijës, rreth 50 kilometra nga qyteti i Nikshiqit. Dyshohet se bëhet fjalë për një vrasje të vajzës dhe më pas vetëvrasje nga ana e babait, edhe pse hetimet janë ende në zhvillim.

Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë dhe një ekip mjekësor, të cilët konfirmuan vdekjen e autorit të dyshuar, i identifikuar me inicialet Zh.D., si dhe të vajzës së tij të mitur.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po drejtohen nga Prokuroria e Lartë Shtetërore në Podgoricë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për motivet që çuan në këtë akt të rëndë.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik dhe ka hapur sërish debatin për dhunën në familje dhe mbrojtjen e grave dhe fëmijëve nga agresorët brenda shtëpisë.

Top Channel