
Gati 75,000 qytetarë meksikanë janë larguar vullnetarisht nga Shtetet e Bashkuara dhe janë rivendosur në atdheun e tyre që kur republikani Donald Trump u rikthye në pushtet në janar, njoftoi të mërkurën presidentja meksikane Claudia Sheinbaum.
Pasi Presidenti Trump u betua dhe mori detyrën, duke shpallur goditjen ndaj imigracionit të paligjshëm një përparësi kryesore të mandatit të tij të dytë, autoritetet meksikane njoftuan nisjen e një programi që e quajtën ” Meksika të Përqafon” për të ndihmuar në riatdhesimin vullnetar të qytetarëve meksikanë nga Shtetet e Bashkuara. Programi përfshin ndihmë financiare për të gjithë të deportuarit.
“Rreth 75,000 bashkatdhetarë tanë, burra dhe gra meksikanë, janë kthyer në vend që nga 20 janari”, tha kryetarja e shtetit meksikan, e zgjedhur me partinë MORENA (e Majta nacionaliste), në konferencën për shtyp që zakonisht jep çdo mëngjes.
Dhjetëra mijëra kthime vullnetare u njoftuan në një sfond të bastisjeve të intensifikuara policore, ndalimeve dhe deportimeve të njerëzve që ndodhen ilegalisht në SHBA, veçanërisht në Los Angeles, qyteti i dytë më i madh i SHBA-së – i cili është gjithashtu vendi ku jetojnë më shumë emigrantë meksikanë se kudo tjetër.
Sipas Ministrisë së Jashtme meksikane, rreth 12 milionë meksikanë jetojnë jashtë vendit, 97% e tyre në Shtetet e Bashkuara.
Dje, Presidentja Sheinbaum i kërkoi administratës Trump të kthejë në atdheun e tyre ata meksikanë që janë në rrezik të mbahen në qendrat amerikane të paraburgimit, ku organizatat e të drejtave të njeriut ankohen se emigrantët i nënshtrohen trajtimit çnjerëzor dhe degradues.
Top Channel