Republikanët dhe demokratët bashkojnë forcat, miratojnë mocionin që i bën thirrje Departamentit të Drejtësisë të publikojë dosjen Epstein

24/07/2025 11:46

Një nënkomision i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së votoi të mërkurën për të thirrur Departamentin e Drejtësisë për të publikuar të dhënat që lidhen me miliarderin Jeffrey Epstein, të cilat besohet gjerësisht se përfshijnë edhe presidentin amerikan, Donald Trump.

Kryetari i Komitetit Mbikëqyrës së Dhomës së Përfaqësuesve, Jamie Comer, duhet ta nënshkruajë thirrjen përpara se ajo të lëshohet zyrtarisht, sipas rregullave të komitetit, raporton CNN.

Mocioni u miratua 8-2. Tre republikanë bashkuan forcat me katër demokratët e nënkomitetit, duke sfiduar udhëheqjen republikane, e cila donte t’ia linte dosjet e Epstein administratës Trump.

Mocioni u prezantua nga përfaqësuesja demokrate Summer Lee, e cila i tha CNN se “populli amerikan dëshiron transparencë”.

“Ne duhet të dërgojmë mesazhin se pavarësisht nëse je personi më i parëndësishëm apo personi më i fuqishëm në këtë vend, nëse kryen një krim, nëse bën gjëra që nuk duhet t’i bësh, do të ketë njëfarë përgjegjësie. Tani për tani, nëse nuk votojmë për këtë, ose nëse nuk i publikojmë këto dosje, po dërgojmë mesazhin se nëse je një abuzues i fuqishëm, je i mbuluar”, shtoi ajo.

Ndërkohë, Wall Street Journal raporton se Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi e kishte informuar Trump në maj se emri i tij shfaqej “disa herë” në dosjet që lidheshin me Epstein.

CNN sqaron se emri i Trumpit nuk ishte në qendër të hetimit, i cili nuk ka gjetur asnjë “klientelë” për Epsteinin apo prova se vdekja e tij nuk ishte vetëvrasje.

Top Channel