
Gjatë ditës, në mediat në Kosovë është publikuar një video, ku dy të rinj shihen të përdhosin flamurin kombëtar në Studenҫan të Suharekës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka identifikuar dy të mitur, por se nuk ka nisur hetim penal dhe se prokurori ka vlerësuar kështu pasi të rinjtë kanë shprehur pendesën gjatë intervistimit.
“Me datë 23.07.2025, Policia ka pranuar një informacion dhe video-regjistrim që lidhen me një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar nga dy të mitur në Studençan, Suharekë. Pas reagimit të menjëhershëm, të miturit janë intervistuar nga policia në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar. Prokurori përgjegjës, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se nuk ka bazë për hetim penal, pasi veprimi është kryer pa vetëdije dhe pa qëllim nxitjeje të urrejtjes. Rasti është mbyllur me raport njoftues”, njofton Policia Rajonale e Prizrenit.
Lidhur me këtë ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UҪK-së e veprimet e të rinjve i cilësuan si fyerje.
“Flamuri kuq e zi është simboli i gjakut dhe sakrificës, simboli që frymëzoi një popull të tërë për liri, që u ngrit mbi barrikada, e në zemrën e çdo shqiptari që nuk u përkul para pushtuesit. Ky akt përbën, fyerje të rëndë ndaj kujtimit të Dëshmorëve tanë, përbuzje të vlerave të luftës çlirimtare dhe provokon rëndë moralin kombëtar, që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi”, thuhet në reagimin e OVL UҪK-së.
Top Channel