Lufta në Azi! Tajlanda: Kamboxhia ka vrarë 12 persona!

24/07/2025 17:27

Autoritetet tajlandeze thonë se përleshjet midis trupave tajlandeze dhe kamboxhiane kanë vrarë të paktën 12 persona.

Luftimet shënojnë një përshkallëzim të një mosmarrëveshjeje midis dy fqinjëve të Azisë Juglindore që daton më shumë se një shekull më parë.

Shumica e viktimave ishin civilë nga tre provinca tajlandeze, sipas ushtrisë së Tajlandës, e cila gjithashtu raportoi se disa persona u plagosën. Kamboxhia ende nuk ka konfirmuar nëse ka pësuar ndonjë viktimë.

Të dyja palët shkëmbyen zjarr të enjten, me secilën palë që pretendonte se pala tjetër kishte shkaktuar konfliktin. Situata u përshkallëzua shpejt, me Tajlandën që akuzoi Kamboxhian për hedhjen e raketave dhe Bangkokun që kreu sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake kamboxhiane.

Tajlanda ka mbyllur kufirin me Kamboxhian, ndërsa kjo e fundit ka ulur nivelin e lidhjeve me Tajlandën, duke akuzuar ushtrinë e saj për përdorim të “forcës së tepërt”.

Të dy vendet u kanë kërkuar qytetarëve të tyre pranë kufirit të largohen nga zonat, me Tajlandën që po evakuon 40,000 civilë në vende më të sigurta.

“Lufta është me të vërtetë serioze. Jemi në mes të evakuimit”, tha për BBC-në Sutian Phiwchan, një banor vendas i distriktit Ban Dan në provincën Buriram të Tajlandës, pranë kufirit me Kamboxhian.

Autoritetet tajlandeze thanë se gjithsej 11 civilë – përfshirë një tetëvjeçar dhe një 15-vjeçar – si dhe një personel ushtarak janë vrarë në provincat Surin, Ubon Ratchathani dhe Srisaket.

Tailanda dhe Kamboxhia kanë dhënë versione të ndryshme të asaj që ka ndodhur.

Tailanda pretendon se gjithçka filloi me ushtrinë e Kamboxhias që vendosi dronë për të mbikëqyrur trupat tajlandeze pranë kufirit.

Ndërsa Kamboxhia thotë se ushtarët tajlandezë e nisën konfliktin kur shkelën një marrëveshje paraprake duke avancuar drejt një tempulli Khmer-Hindu pranë kufirit.

 

Top Channel