
Në Shqipëri, beteja midis politikës dhe shkencës nuk njeh mbarim; ato vazhdojnë të sulmojnë njëra-tjetrën me fjalën e ligjit.
Kryetar i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi thotë: “Kjo është një luftë e vazhdueshme midis institucioneve kërkimore dhe atyre politikbërëse.”
Pak muaj pas miratimit të ligjit për kërkimin shkencor, kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, kërkon përmirësimin e elementëve teknikë nëpërmjet akteve nënligjore, që sipas tij deri më tani nuk janë hartuar me të njëjtën logjikë si vetë ligji, por përkundrazi kanë krijuar më tepër boshllëqe.
“Vlerësojmë se hartimi i akteve nënligjore duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe frymën e tij dhe jo duke e deformuar dhe keqinterpretuar. Për këtë arsye nuk po i jepet një zgjidhje e duhur problemit të etikës dhe plagjiaturës, cenohet autonomia dhe krijohen shtigje për keqinterpretim në financim dhe institutet kërkimore”, shton Gjinushi.
Ligji i arsimit të lartë dhe ai për shkencën nuk duhet të jenë konkurrues, por bashkëpunues. Kjo mendësi duhet të ndryshojë njëherë e mirë – tha kreu i Akademisë së Shkencave – pasi në vend të luftës për territore, ambicia duhet të jetë njëhsimi i diplomave të shkollave tona me ato të huaja.
“Qëllimi nuk është që të shkojnë institutet te akademia, apo të gjithë institutet te universitetet – zgjidhja është heterogjene: që të punojnë në një sistem”, thotë ai.
Kjo deklaratë zyrtare e Akademisë së Shkencave vjen pas takimit që kryeministri Edi Rama pati me rektorët e universiteteve, ku ai tha se ligji për arsimin e lartë duhet të ndryshojë dhe se universitetet kanë nevojë t’i nënshtrohen një reforme që të garantojë një ofertë të re akademike që të ngjasojë me ato të Bashkimit Europian.
Top Channel