Fiks Fare denoncoi veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Shtetit, e cila u ka djegur gradën dhjetëra oficerëve.

Në vitin 2024 u bë një konkurs për gradën nga n\komisar në komisar. Fitonin gradë ata që merrnin mbi 70 % të pikëve. Gradën e fituan 406 oficerë. 320 u emëruan direkt (dhe morën gradën) dhe pjesa tjetër në listë pritje. Kishte një klauzolë që, nëse nuk emërohej në vend pune ekuivalente me gradën e re, atëherë digjej grada.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” janë ankuar dhjetëra oficerë policie që kanë konkurruar në vitin 2024 për gradën nga n/komisar në komisar. Pas konkursit, 320 oficerë janë emëruar në vendet vakante apo në ato që kanë qenë dhe kanë përfituar gradën e re. Ndërkohë, në atë kohë ka pasur dhjetëra vende vakante të tjera dhe oficeret që kanë marrë mbi 70 % ishin në liste pritje.

Fiks Fare ka faktuar se, nga muaji maj 2024 deri në muajin prill 2025 janë emëruar dhjetëra oficerë policie në vendet vakante, por jo sipas renditjes së konkursit, por sipas preferencave. Policia e Shtetit bëri emërime nga kjo listë pritje jo sipas renditjes, përshembull të emërohej i 321-ti, 322 e me radhë, por emëroi dhe u dha gradë oficerëve të renditur poshtë tyre, 327, 341, 382, 399, 406! Janë të paktën 12 emërime të kryera të verifikuara nga Fiks Fare në bazë preferenciale, ndërkohë që lista është shumë herë më e gjatë.

Mësohet se është bërë një diferencim, ku p.sh oficeri i renditur i 321 nuk është emëruar dhe për rrjedhojë i është djegur grada dhe nga ana tjetër kanë marrë gradë dhjetëra oficerë të renditur pas tij! Gjithashtu kanë marrë gradë edhe ata oficerë që kanë qenë me vende pune që korrespondonte me gradën komisar. Fiksi ka mësuar se disa oficerë i janë drejtuar edhe Gjykatës Administrative, duke paditur Policinë e Shtetit. Proceset janë në vijim e sipër. Sipas ankesave, e njëjta situatë ka qenë edhe me konkursin e gradës nga komisar ne kryekomisar, ku janë emëruar 200 oficerë dhe pjesa tjetër janë në liste pritje. ​

Fiksi bisedoi edhe me kreun e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta. Ai tha se ka një mori problematikash me konkurset e gradave në Policinë e Shtetit. Sipas tij, emërimet janë preferenciale dhe nuk zbatohet meritokracia. Më tej shton se, janë bërë ligje dhe rregullore që i japin disa kompetenca drejtorit të Policisë së Shtetit, si për shembull të mbajë deri në 1 vit një oficeret në poste drejtuese edhe pa gradë.

“Gjatë këtij viti bën konkurs dhe ky oficer, edhe nëse nuk është ndër të parët (siç ka ndodhur edhe në konkursin e 2024-ës), e merr gradën edhe para atyre të renditur më sipër me pikë” shton ai. Fishta thotë se nëse ka oficerë që s’kanë qenë në pozicione pune ekuivalente me gradën dhe janë emëruar gjatë vitit të fundit dhe kanë marrë gradë, atëherë kemi shkelje dhe shpërdorim detyre.

Fiksi i dërgoi disa pyetje Policisë së Shtetit se çfarë ka ndodhur me oficerët që s’u emëruan? Duhet të futen sërish në konkurrim? Sipas ankesave, e njëjta situatë ka qenë edhe me konkursin e gradës nga komisar në kryekomisar, ku janë emëruar 200 oficerë dhe pjesa tjetër në listë pritje. Çfarë do të ndodhë me oficerët që s’u emëruan? Dhe, a ka aktualisht meritokraci në radhët e Policisë së Shtetit? Nëse po, në çfarë përqindje? Policia thotë se ka zbatuar rregulloret dhe ligjin, por pa specifikuar veprimet se u emëruan oficerë jashtë renditjes.

 

FOTO GALERI
1/7

Top Channel