Trump nuk i ndahet Harvardit, administrata e tij hap tjetër hetim mbi programin e shkëmbimit të universitetit amerikan

23/07/2025 18:15

Departamenti Amerikan i Shtetit po heton Harvardin mbi përfshirjen e universitetit në programin e tij të shkëmbimit të vizitorëve.

Ky është sulmi i fundit nga qeveria e Trump kundër universitetit në një betejë të gjatë.

“Hetimi do të sigurojë që programet e Departamentit të Shtetit të mos shkojnë në kundërshtim me interesat e kombit tonë”, tha sekretari i shtetit Marco Rubio në një deklaratë.

“Për të ruajtur privilegjin e tyre për të sponsorizuar vizitorët e shkëmbimit, sponsorët duhet të zbatojnë të gjitha rregulloret, duke përfshirë edhe kryerjen e programeve të tyre në një mënyrë që nuk dëmton objektivat e politikës së jashtme ose nuk kompromenton interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, shtoi Rubio.

Ky është hetimi i fundit që administrata e Trump ka njoftuar për Harvardin.

Sulmet e Trump kundër shkollës më të vjetër dhe më të pasur të vendit po zhvillohen në një numër frontesh.

Hetime të tjera po shqyrtojnë kërcënimet ndaj studentëve dhe stafit hebrenj pas shpërthimit të protestave pro-Palestinë në tetor 2023, dhe nëse Harvardi diskriminon në bazë të seksit dhe gjinisë.

Kjo vjen në një kohë kur administrata e Donald Trump dhe Harvard janë përballur kokë më kokë në gjykatë federale për kërcënimet e qeverisë për të shkurtuar miliarda dollarë nga financimi i shkollës.

Presidenti thotë se po përpiqet të detyrojë ndryshime në Harvard dhe universitete të tjera të nivelit të lartë në të gjithë SHBA-në sepse ato janë kapur nga ideologjia e majtë dhe janë bërë bastion i antisemitizmit.

Harvard dhe universitete të tjera thonë se sulmet e Trump janë kërcënime për lirinë e fjalës, lirinë e akademikëve dhe vetë ekzistencën e shkollave.

Top Channel