Limaj i kërkon Kurtit pushtet, votat për Parlamentin në këmbim të tre vendeve në qeverinë e re të Kosovës

23/07/2025 15:29

NISMA Socialdemokrate, që në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me tre deputetë, është zgjidhja e vetme për marrëveshje politike për lëvizjen vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve, për t’iu afruar 61 votave që i duhen për votimin e kryeparlamentarit.

Megjithatë, kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, të mërkurën ka thënë se nisma nuk mbështet zgjidhje parciale.

“Ne nuk besojmë në zgjidhje parciale, ne duam një shumicë qeverisëse e cila e konstituon edhe Kuvendin edhe krijon qeverinë. Nisma nuk do të kontribuojë që me zgjidhje gjysmake që pastaj do të shkaktonin zgjedhje”, tha ai.

Limaj ka mohuar se kërkon poste në ekzekutiv, si pjesë e marrëveshjes me Kurtin. Kreu i nismës nuk ka treguar as për kushtet që i ka paraqitur kryetarit të lëvizjes vetëvendosje.

“Në tavolinë kemi opsionet edhe nga vetëvendosja edhe nga nisma. Nuk është korrekte të flasë, pak a shumë qëndrimet tona i dini, ato që kanë qenë publike. Kemi opsione, asnjë nga ato që janë folur në media nuk është e vërtetë – as një, as dy, as tri”, shtoi Limaj.

Ndërkohë, partneri i lëvizjes vetëvendosje, Faton Peci, të njëjtën ditë ka thënë që oferta e Kurtit për Limajn është gjeneroze e përfshin pozita në qeveri.

“Me aq sa ne kemi informacione, oferta e kryeministrit për nismën ka qenë bukur gjeneroze, për mundësinë që ata me marrë pozicione të rëndësishme në qeverinë e ardhshme”, u shpreh Peci.

Shkurt, e pa dhënë detaje, Limaj ka treguar se për çka kanë diskutuar të shtunën e shkuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin: “Më shumë kemi biseduar tema programore, temat e politikës, diplomatike, temat e sigurisë.”

Kryetari i nismës pret që të ketë edhe takime të tjera me drejtuesin e lëvizjes vetëvendosje, për të definuar çështjet e marrëveshjes.

Top Channel