
Fruta pasioni, guava, fruta dragoi apo kiwano, ndryshimet klimatike po i nxisin fermerët shqiptarë të kultivojnë fruta ekzotike për t’i shitur në Evropë.
Ferma e agronomit me përvojë Irakli Shkoza, jo larg detit, është një lloj “Kopshti i Edenit” nën diellin Adriatik. Me temperaturat që rriten çdo vit, Shkoza pati idenë për të diversifikuar prodhimin që në vitin 2019, në një kohë kur të tjerët do të kishin dalë prej kohësh në pension.
75-vjeçari solli për herë të parë fara nga Afrika dhe Amerika, dhe i mbolli në sipërfaqen e tij prej dy hektarësh. Të gjitha bimët janë përshtatur shumë mirë me klimën e ngrohtë vendase.
E vendosur mes tokash bujqësore dhe detit, zona e Divjakës ishte dikur hambari i Shqipërisë, dhe sot fermerët atje kultivojnë perime dhe shalqinj për tregun vendas dhe për eksport.
Irakli Shkoza-fermer: Tashmë ka të paktën pesëmbëdhjetë kultura [frutash ekzotike], si fruta dragoi, fruta pasioni, avokado, guava, feijoa, cherimoya dhe të tjera si kiwano, që po shiten në tregun evropian.
Është jashtëzakonisht e dobishme për fermerët shqiptarë që të nisin kultivimin e këtyre bimëve, sepse ato favorizohen nga klima dhe tregu. Meqë këto produkte vijnë në Evropë nga rajone shumë të largëta, ato kanë disavantazhe, veçanërisht për sa i përket kostos dhe freskisë, për shkak të kohës së gjatë të transportit”.
Vasil Nikolovski-ekonomist: Kudo, për shembull papaja, korret e gjelbër, sillet në Evropë dhe piqet artificialisht. Këtu, ato mund të piqen në pemë. Nuk ka armiq natyralë këtu në Shqipëri. Nuk kemi hedhur asnjë pikë kimikati, as në frutën e dragoit, as edhe një pikë pesticidi. Është shumë e pastër.”
Klima mesdhetare tipike e Shqipërisë, me vera të nxehta dhe të thata dhe dimra të butë, është ndryshuar për shkak të ngrohjes globale. Sipas një studimi të vitit 2022, deri në fund të shekullit, temperaturat mesatare në Ballkanin Perëndimor pritet të rriten me 3.5 deri në 8.8 gradë Celsius, nëse vazhdojnë emetimet e moderuara deri të larta të gazeve serrë. Por ndryshimet klimatike nuk duhet të shihen vetëm si katastrofë, thotë Shkoza, nëse dimë të përshtatemi dhe t’i kthejmë në avantazh.
Top Channel