
Një propozim i diskutueshëm nga Komisioni Evropian, i cili synon ndalimin e makinave me djegie për flotat me qira dhe ato të korporatave duke nisur nga viti 2030, ka shkaktuar valë shqetësimi brenda Bashkimit Evropian, veçanërisht nga përfaqësues të qendrës së djathtë dhe industrisë automobilistike.
Sipas një raporti të publikuar nga BILD, në diskutimet e brendshme të Komisionit Europian, po shqyrtohet mundësia që kompanitë e makinave me qira si Sixt dhe Europcar, por edhe flotat e mëdha korporative, të lejohen të blejnë vetëm makina elektrike pas vitit 2030.
Kryetari i CDU-së në landin e Baden-Württemberg, Manuel Hagel, i është drejtuar me një letër të hapur presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e paralajmëruar për pasojat e këtij propozimi.
“Një ndërhyrje e tillë nuk do të ishte vetëm një sulm ndaj lirisë së sipërmarrjes, por edhe një gabim i rëndë që nuk ka lidhje me realitetin,” – shkruan Hagel.
Ai thekson se infrastruktura për karikimin e makinave elektrike është ende e paplotë, veçanërisht në zonat rurale, dhe nënvizon se karburantet sintetike dhe motorët me djegie të përmirësuar mund të luajnë ende një rol në uljen e emetimeve të CO₂.
Edhe Jens Gieseke, eurodeputet i CDU dhe zëdhënës për çështjet e transportit në grupin PPE, kritikoi fort propozimin: “Një ndalim i motorëve me djegie për flotat me qira dhe ato korporative do të ishte një ndërhyrje masive në treg dhe një shuplakë për industrinë evropiane të automobilave.”
Ai kërkon rishikimin e kufijve të flotës me CO₂ dhe ndalimin e përjashtimit të teknologjive alternative, në vend të imponimeve të reja nga qendra e BE-së.
Pas një takimi me kryeministrin norvegjez në Berlin, kancelari gjerman Friedrich Merz rikujtoi se industria automobilistike është një nga shtyllat e ekonomisë evropiane dhe theksoi se një fokus i ngushtë te vetëm një teknologji mund të jetë i dëmshëm për kontinentin.
Megjithatë, sipas Süddeutsche Zeitung, propozimi ndodhet ende në fazën teknike dhe burokratike, pa një konsensus politik brenda Komisionit. Megjithatë, shqetësimet në rritje brenda BE-së tregojnë për një përplasje të fortë që mund të vijë në muajt në vijim.
E ardhmja e makinave me motorë djegie në Evropë mbetet pezull, mes presioneve për dekarbonizim dhe nevojës për ruajtjen e fleksibilitetit teknologjik dhe industrial.
Top Channel