Tiranë/ Shërbime dentare me preparate të skaduara, arrestohen administratori i klinikës dhe një stomatolog

22/07/2025 09:47

Një rast i aplikimeve të shërbimeve dentare me preparate të skaduara është goditur nga policia në Tiranë.

Në Rrugën e Kavajës, në ambientet e subjektit “Golden Dental & Aesthetic” me administrator shtetasin Ervin Zeka, që ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi Ervin Zeka, 40 vjeç dhe shtetasi Kejdi Myzyri, 26 vjeç, të dy stomatologë në klinikë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 punonjës në këtë klinikë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Top Channel