Thirrje me altoparlantë dhe këngë/ Protestuesit ndërpresin intervistën e lideres së AfD-së

22/07/2025 09:22

Televizioni publik gjerman ARD ka njoftuar se do të rishikojë procedurat e tij pas një incidenti të pazakontë gjatë një interviste të drejtpërdrejtë me bashkëkryetaren e partisë së djathtë ekstreme Alternative für Deutschland (AfD), Alice Weidel, e cila u ndërpre nga protesta të zhurmshme në Berlin.

Gjatë intervistës së transmetuar të dielën, protestues të shumtë u mblodhën poshtë skenës provizore duke e bërë pothuajse të pamundur zhvillimin normal të bisedës, sipas The Guardian.

Nga altoparlantët e një autobusi që shërbente si platformë proteste, u dëgjua kënga “Scheiß AfD Jodler” e kënduar nga Corner Chor, një kor aktivistësh nga Augsburg. Në protestë morën pjesë edhe grupi Omas gegen Rechts (Gjyshet kundër së djathtës) si dhe kolektivi artistik antifashist Zentrum für Politische Schönheit.

Disa pjesë të intervistës ishin të paqarta për shikuesit për shkak të zhurmës. Partia AfD, e njohur për qëndrimet e saj anti-emigrante, kërkoi që intervista të përsëritet për t’i dhënë Weidel mundësinë të përgjigjej në mënyrë të qartë në kuadër të serisë së intervistave verore me liderët politikë.

ARD reagoi të hënën, duke deklaruar se do të nxjerrë mësime nga incidenti dhe do të marrë masa për të parandaluar situata të ngjashme, por nuk konfirmoi nëse do ta përsërisë intervistën. “Një rrjedhë e pandërprerë e intervistave është në interesin tonë dhe të publikut,” tha një zëdhënës i televizionit.

Sipas ARD, nuk kishte pasur njoftim paraprak për protestën, as nga organizatorët dhe as nga policia. Policia e Berlinit deklaroi se nuk kishte bërë arrestime, por po shqyrton mundësinë e nisjes së procedimeve kundër protestuesve.

Gazetari që zhvilloi intervistën, Markus Preiß, tha se Weidel reagoi me qetësi, pavarësisht zhurmës: “Duhet ta pranoj: Alice Weidel e mori me sportivitet, duke pasur parasysh volumin.” Ai shtoi se demonstratat janë pjesë e të drejtave demokratike, por zakonisht regjistrohen, gjë që nuk ndodhi në këtë rast.

Weidel, në një postim në rrjetet sociale, ironizoi protestën duke e quajtur korin “një OJQ e financuar nga taksapaguesit” dhe u ankua për kushtet e intervistës. Ajo publikoi linkun e intervistës të transmetuar në Tagesschau, duke theksuar se kjo është mënyra se si trajtohet AfD në Berlinin e qeverisur nga CDU-ja.

ARD u kritikua nga përkrahësit e AfD-së për dështimin në garantimin e kushteve të barabarta për të gjithë politikanët. Ndërkohë, disa kundërshtarë të AfD-së vlerësuan se protesta mund t’i ketë dhënë partisë edhe më shumë vëmendje mediatike.

Organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij sugjeroi që kompanitë e internetit të taksohen për të krijuar fonde që ndihmojnë mediat publike të përballen me presionet në rritje nga partitë ekstremiste.

Drejtori i përgjithshëm i grupit, Thibaut Bruttin, paralajmëroi për sulmet ndaj mediave publike në vende si SHBA, Hungari, Itali dhe Sllovaki, duke i krahasuar me prirjet aktuale në Evropë.

Top Channel